Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenksy, e ka vënë në pikëpyetje përkushtimin e Rusisë për të ecur përpara në bisedimet e paqes, pasi Moska zyrtare konfirmoi se do të dërgonte një delegacion në Stamboll të hënën, raporton BBC.
Por, Zelensky ka akuzuar Moskën se po “bënë gjithçka për t’u siguruar që takimet e radhës të mos jenë frytdhënëse”.
“Që një takim të jetë kuptimplotë, agjenda e tij duhet të jetë e qartë, dhe negociatat duhet të përgatiten ashtu siç duhet”, ka thënë ai.
Megjithatë, Rusia ende nuk ia ka dërguar Ukrainës propozimet e saja për negociata, njëkohësisht kërkesë kyç nga ana e Kievit. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se kushtet e Moskës për armëpushim do të diskutoheshin në Turqi.
Ukraina i ka dërguar propozimet e saj Rusisë, teksa ka riafirmuar “gatishmërinë për armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar”.
Rundi i parë i bisedimeve i dy javëve më parë në Stamboll nuk solli ndonjë marrëveshje gjithëpërfshirëse, ndonëse u arrit një pajtim mbi shkëmbimin e 1,000 të burgosurve të luftës nga secila palë.