Werder Bremen gati t’i japë ‘çelësat’ e sulmit Fisnik Asllanit

Pas një sezoni të jashtëzakonshëm si i huazuar te SV 07 Elversberg, ku u shpall golashënuesi më i mirë i Bundesliga 2 me 18 gola dhe 8 asistime, Fisnik Asllani ka tërhequr vëmendjen e Werder Bremen.

Ndërkohë që Hoffenheim – klubi që zotëron kartonin e tij – po punon për zgjatjen e kontratës që skadon në vitin 2026, një transferim te Werder Bremen mbetet një mundësi reale për sulmuesin kosovar.

Një element interesant në këtë skenar është trajneri i ri i Werderit, Horst Steffen, i cili ka punuar më parë me Asllanin në Elversberg.

Në prezantimin e tij zyrtar, Steffen theksoi se nuk përjashton transferimet e ish-lojtarëve të tij, dhe sipas Kicker, ai do ta mirëpriste një ribashkim me 22-vjeçarin. Lidhja mes tyre thuhet të jetë e ngushtë.

Megjithatë, çdo lëvizje e mundshme varet edhe nga kushtet financiare. Hoffenheim kërkon një tarifë të lartë për kartonin e Asllanit, ndërsa Werder duhet të menaxhojë me kujdes buxhetin e transferimeve, i cili kap vlerën rreth 7.5 milionë euro.

Një mundësi për të liruar fonde është shitja e sulmuesit Marvin Ducksch. 31-vjeçari është i hapur për një transferim dhe ka pasur bisedime me klube të ndryshme, por deri më tani mungojnë ofertat konkrete.

Derisa situata financiare të qartësohet, Asllani mbetet një opsion shumë interesant për Werderin – por jo i lehtë për t’u realizuar. /Telegrafi/ 

Read Previous

Rritet ndjeshëm çmimi i gazit natyror evropian

Read Next

Keir Starmer: Britania e përkushtuar ndaj de-përshkallëzimit në Lindjen e Mesme