Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon që ekonomia shqiptare të rritet me 3,5% gjatë këtij viti, e nxitur nga kërkesa e brendshme dhe zgjerimi i sektorit të turizmit.
Shefja e misionit të FMN-së për Shqipërinë, Anke Weber, në një intervistë për “Monitor”, thotë se Shqipëria ka mundësi për të përshpejtuar rritjen, e ndikuar nga turizmi, sidomos nëse mbështetet nga investime të qëndrueshme të huaja.
“Perspektiva për ekonominë shqiptare në vitin 2025 është pozitive. Rritja reale e PBB-së parashikohet në 3,5%, e nxitur nga kërkesa e brendshme dhe zgjerimi i vazhdueshëm i sektorit të turizmit”, shprehet Weber.
Sipas saj, investimet në infrastrukturën turistike dhe konkurrueshmëria e çmimeve të Shqipërisë pritet të jenë faktorët kryesorë që do të nxisin këtë tendencë.
Po ashtu Weber, thotë se, rritja e pagave do të luajë gjithashtu një rol të rëndësishëm në shtimin e konsumit privat.
“Megjithëse efektet bazë nga rënia e ndjeshme e çmimeve në fillim të vitit 2024 mund të nxisin inflacionin në gjysmën e parë të vitit 2025, nuk pritet një kthim i qëndrueshëm në objektivin e inflacionit para vitit 2026”, shprehet Weber.
Ajo shton se reformat strukturore, në kuadër të procesit të integrimit në BE, mund të rrisin ndjeshëm potencialin ekonomik.
“Politikat e brendshme parashikohen të mbështesin rritjen ekonomike në vitin 2025. Politika fiskale do të fokusohet në ruajtjen e një balance primare zero, në përputhje me rregullat fiskale, ndërkohë që parashikohen rritje të shpenzimeve kapitale dhe investimeve të pushtetit lokal, të mbështetura nga masat që janë marrë për rritjen e të ardhurave, si p.sh. nga TVSH dhe tatimfitimi”, nënvizon Weber.
Ajo rendit edhe risqet me të cilat mund të përballet vendi dhe që mund të ngadalësojnë aktivitetin ekonomik.
“Rreziqet kryesore përfshijnë tensionet gjeopolitike dhe ngadalësimin e rritjes ekonomike globale, që mund të reduktojnë kërkesën nga partnerët tregtarë dhe të dobësojnë aktivitetin ekonomik të brendshëm.
Shtrenjtimi i çmimeve të energjisë ose ndikimet negative klimatike mund të rrisin kostot e prodhimit dhe të nxisin inflacionin”, thotë Weber.
Po ashtu, sipas saj, një rënie në kërkesën për turizëm, si rezultat i goditjeve globale, mund të ndikojë në vlerën e monedhës dhe në sektorin e pasurive të paluajtshme, duke rritur kreditë me probleme dhe duke kufizuar aksesin në financim.
Nga ana tjetër, Weber shprehet se Shqipëria ka mundësi për të nxitur rritjen.
Sipas saj, performanca e turizmit mund të tejkalojë pritshmëritë, veçanërisht nëse mbështetet nga investime të qëndrueshme të huaja.
“Reformat strukturore, në kuadër të procesit të integrimit në BE, mund të rrisin ndjeshëm potencialin ekonomik”, deklaron ajo.
Weber thekson se qeveria duhet të jetë e përgatitur për të ndërhyrë me masa të synuara, si mbështetja fiskale për shtresat më të prekura dhe rregullimet e politikës monetare për të menaxhuar inflacionin.
“Përparësi duhet t’u jepet reformave që rrisin konkurrueshmërinë, përmirësojnë institucionet dhe forcojnë stabilitetin financiar. Diversifikimi i burimeve të energjisë dhe masat për stabilitetin e sektorit financiar janë të rëndësishme për të përballuar goditjet e jashtme dhe për të garantuar qëndrueshmëri afatgjatë”, shprehet Weber.
Shefja e Misionit të FMN-së për Shqipërinë vlerëson se Strategjia Afatmesme e të Ardhurave përfaqëson një mundësi të rëndësishme për Shqipërinë për të forcuar kornizën e saj fiskale dhe do të përmirësojë transparencën, besueshmërinë dhe
parashikueshmërinë e axhendës së reformës së të ardhurave.
“Ne e vlerësojmë që autoritetet janë të angazhuara për zbatimin e Strategjisë dhe dëshirojmë t’i përgëzojmë për përfundimin e këtij dokumenti strategjik të rëndësishëm. Me gjithë progresin e rëndësishëm, arritja e objektivave të të ardhurave të autoriteteve do të kërkojë një zbatim të fuqishëm të masave të administrimit të të ardhurave dhe politika të reja tatimore. Ne rekomandojmë përshpejtimin e miratimit të politikave tatimore që do të ndihmonin në zgjerimin e bazës tatimore”, thekson ajo.
Për të siguruar suksesin e reformave të taksës së pronës, Weber thotë se FMN ka theksuar prej kohësh rëndësinë e përfundimit të përgatitjeve të nevojshme, duke përfshirë krijimin e një kadastre fiskale, brenda një periudhe të përshtatshme.
“Gjithashtu duhen përpjekje të fuqishme për të përmirësuar infrastrukturën IT, për të forcuar stafin dhe kapacitetet, dhe për të përmirësuar aksesin dhe përdorimin e të dhënave. Në rastin e individëve me pasuri të lartë, do të jetë thelbësore rritja e aftësive për të shfrytëzuar të dhënat e palëve të treta në zbatimin e përputhshmërisë tatimore”, thotë ajo.
Weber flet dhe për hapat që duhen djekur për të siguruar që sektori i ndërtimit të vazhdojë të rritet në mënyrë të qëndrueshme.
“Sektori bankar është i mirëkapitalizuar dhe likuid në përgjithësi, me raportet prudenciale që janë dukshëm mbi kërkesat rregullatore. Ndërkohë që rreziqet sistemike në sistemin financiar të Shqipërisë mbeten kryesisht të kontrolluara, rritja e ndjeshme e kredive hipotekore dhe rritja e vazhdueshme e çmimeve në sektorin e pasurive të paluajtshme kërkojnë mbikëqyrje të kujdesshme. Në mënyrë inkurajuese, Banka e Shqipërisë (BOA) ka bërë përparime në forcimin e kornizës së saj makroprudenciale, duke përfshirë mbledhjen e të dhënave të përmirësuara për pasuritë e paluajtshme. BoA gjithashtu ka rritur në mënyrë të përshtatshme shtesën ciklike të kapitalit (CCB) nga zero në 0,25% në qershor 2024 (që pritet të hyjë në fuqi në qershor 2025). Duke pasur parasysh këto përpjekje, mund të konsiderohet futja e kërkesave për raportin kredi ndaj vlerës së pronës (loan-to-value LTV) dhe raportin e shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave të huamarrësve (debt-to-income DTI), për të ndihmuar në frenimin e zgjerimit të shpejtë të kreditimit në sektorin e pasurive të paluajtshme”, shprehet ajo.
Duke pasur parasysh përqindjen e lartë të kredive në valutë të pambrojtura, vijon Weber, kërkesa të tilla mund të diferencohen midis kredive në monedhën lek dhe atyre në valutë.
“Stabiliteti financiar mund të forcohet më tej duke kaluar drejt një norme pozitive neutrale për shtesat kundërciklike të kapitalit, – Countercyclical capital buffer CCyB – (domethënë, duke vendosur një nivel pozitiv të CCyB edhe kur rreziqet sistemike janë neutrale), së bashku me finalizimin e kuadrit të shtesave mbrojtëse ndaj rrezikut sistemik” (SyRB), në mënyrë që të adresohen rreziqet që nuk mbulohen nga shtesat e tjera të kapitalit. Forcimi i mjeteve makroprudenciale do t’i lejonte politikës monetare të përqendrohej në stabilitetin e çmimeve pa ndërhyrë në çështjet e stabilitetit financiar. Këta hapa do të jenë gjithashtu thelbësorë për të siguruar që sektori i ndërtimit të vazhdojë të rritet në mënyrë të qëndrueshme duke zbutur rreziqet për stabilitetin financiar”, deklaroi Weber.
Weber: Reformat strukturore rrisin ndjeshëm potencialin ekonomik
Shefja e misionit të FMN-së për Shqipërinë, Anke Weber deklaron se Shqipëria ka nevojë për një qasje të gjerë ndaj reformave strukturore për të adresuar normën e lartë të emigracionit dhe pengesat në tregun e punës, ndërkohë që nxit një rritje të qëndrueshme.
Weber thekson se rritja e produktivitetit është thelbësore, me fokus në përmirësimin e aksesit të NVM-ve (Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme) në financa, përshtatjen e arsimit dhe trajnimit profesional me nevojat e tregut të punës, avancimin e procesit të digjitalizimit dhe zgjerimin e qasjes në kujdes për fëmijët për të rritur pjesëmarrjen në fuqinë punëtore.
Sipas saj, përparësi duhet të jetë zhvillimi i infrastrukturës, duke përfshirë modernizimin e transportit dhe diversifikimin e burimeve të energjisë së rinovueshme, krahas hidroenergjisë.
Burimet e duhura buxhetore dhe mbikëqyrja efektive, shtoi ajo, janë thelbësore për të siguruar zbatimin në kohë dhe me ndikim.
”Duhet të vazhdojnë reformat e qeverisjes në mënyrë që të përmirësohet mjedisi i biznesit. Përforcimi i mëtejshëm i sistemit gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe avancimi i masave kundër pastrimit të parave do të rrisin transparencën dhe do të tërheqin investime”, nënvizoi Weber.
Këto përpjekje, të kombinuara me krijimin e vendeve të punës në sektorët me vlerë të shtuar më të lartë, theksoi përfaqësuesja e FMN-së, do ta bëjnë Shqipërinë më tërheqëse për qytetarët e saj dhe do të zvogëlojnë presionet e emigracionit.
Sipas saj, shfrytëzimi i procesit të anëtarësimit në BE për të zbatuar këto reforma do të përshpejtojë procesin e konvergjencës për afrimin e të ardhurave dhe do ta pozicionojë Shqipërinë për një rritje të qëndrueshme afatgjatë. /ATSH/