Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shprehur bindjen se në takimin e radhës me kryeministrin e Kosovës, më 19 korrik në Bruksel, do të ketë zgjidhje konkrete të problemeve.
Ai gjatë një vizite sot në qytetin Pançevë, tha se me përparim në dialogun Kosovë – Serbi, do të jetë më e lehtë të binden investitorët e huaj.
“Besoj se përparimi është i domosdoshëm dhe mendoj se është e rëndësishme për vendin tonë, pasi nëse përparojmë në dialog do të jetë më e lehtë të sjellim investitorë të huaj”, tha Vuçiq, përcjell B92.
Takimi i 19 korrikut, është i dyti që kur Kurti mori drejtimin e Qeverisë së Kosovës pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. I pari është mbajtur muajin e kaluar dhe sipas Kurtit ishte takim për dakordim të temave që do të diskutohen.
Pala serbe kohëve të fundit po insiston për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, derisa Kosova insiston se nuk mund të ketë asociacion njëetnik./Koha.