Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se në lidhje me dialogun me Kosovën Serbia po kërkon një kompromis, herë pas here këtë po e bën edhe BE-ja por që ai nuk beson se shqiptarët në Kosovë janë të gatshëm për kompromis.
Kur bëhet fjalë për vazhdimin e dialogut me Kosovën dhe bisedimet me Albin Kurtin, Vuçiq ka thënë se puna e tij është të flasë me të gjithë.
“Unë duhet të përgatitem për dialog me Prishtinën. Ju mendoni se ka diçka të bukur në atë dhomë të Brukselit? Nuk ka”.
Kur u pyet për bisedimet me të dërguarin amerikan Matthew Palmer, por edhe të dërguarin special të BE Mirosllav Lajçak, Vuçiq thotë se “nuk kishte asnjë non-paper”.
“Ne patëm bisedime të mira dhe nuk kishte asnjë dokument. Thelbi është se Palmer nuk fsheh se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë njohje të ndërsjellë, ndërsa BE po kërkon normalizim të plotë, ne jemi për kompromis dhe nuk jam i sigurt se shqiptarët janë të gatshëm për kompromis. Për shqiptarët, kompromisi i tyre është që Kosova ta njohë Serbinë, sikur ne plasëm për këtë”.
Kur bëhet fjalë për marrëveshjet e Brukselit dhe Uashingtonit, presidenti i Serbisë thotë se “Asociacioni duhet të përmbushet pa kushte të tjera, që është detyrimi evropian që nga prilli 2013”.
“Kur bëhet fjalë për marrëveshjen e Uashingtonit, mini Shengeni është obligimi i tyre, qasja e barabartë në burimet e Ujmanit, para se gjithash në energjinë elektrike, dhe kjo është pjesë e marrëveshjes. Unë nuk mendoj se shqiptarët kanë në plan të përmbushin diçka, por ata e kanë vënë veten në një pozicion të pamundur dhe e kanë bërë më të lehtë për ata në Serbi që besojnë në status quo”, ka pretenduar Vuçiq.
I pyetur nëse është më vështirë për Serbinë tani kur erdhi Biden në krye të SHBA, ai është përgjigjur: “po, megjithëse e vlerësoj shumë Biden-in”.
“Pozicioni ynë është më i vështirë tani me Biden-in si president i SHBA. Unë e vlerësoj atë, ai është një politikan i jashtëzakonshëm, por është më i vështirë për ne. Kur bëhet fjalë për largimin e Angela Merkel-it, kjo sigurisht do të sjellë paqëndrueshmëri edhe më të madhe në Evropë”.
Kur u pyet “pse nuk ka vaksina Vuçiq në Kosovë”, presidenti i Serbisë u përgjigj: “Sepse nuk po na lejojnë. Ato nuk janë të Vuçiqit, por të qytetarëve të Serbisë. Sepse ata nuk po lejojnë, sepse po i dëbojnë njerëzit, por ne po përpiqemi të vaksinojmë njerëzit tanë”, përfundoi Vuçiq.