Von Cramon në Parlamentin Evropian do të kërkojë që Serbia ta heqë votën kundër Kosovës në KiE

Ndërsa Parlamenti Evropian, të martën në një seancë plenare pritet të diskutojë për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe për normalizimin e raporteve në mes të dy këtyre vendeve, raportuesja për Kosovën në PE, Viola von Cramon, pritet të propozojë që në tekst të rezolutës për Kosovën të përfshihet edhe shprehja e keqardhjes për votimin e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sipas saj, votimi i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar, paraqet shkelje të Marrëveshjes së Ohrit, kjo pasi që neni 4 i Ujdisë në fjalë detyron Beogradin zyrtar të mos e pengojë Kosovën në proceset integruese.

Ndër të tjera deputetja gjermane përmes kësaj rezolute pritet të bëjë thirrje Serbisë që të heqë votën e saj kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Në tekstin e rezolutës për Kosovën, i cili në Komisionin për politikë të jashtme ka kaluar me 44 vota pro, 8 vota kundër dhe 3 abstenime, është mirëpritur aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, në dhjetor të vitit të kaluar.

Sipas tekstit, ky veprim reflekton orientimin pro-evropian të qytetarëve të Kosovës dhe përcaktimin e saj të qartë gjeopolitik.

Në tekst përshëndetet edhe vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – proces i cili është përmbyllur më 25 prill, kur vendimi është botuar në Gazetën Zyrtare të BE-së.

Me këtë vendim, qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në atë që njihet si Zona Schengen dhe përbëhet prej dhjetëra vendesh evropiane, nisur nga 1 janari i vitit 2024.

Parlamenti Evropian pritet që edhe përmes kësaj rezolute të përsërisë thirrjen për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë.

PE-ja do të kërkojë gjithashtu nga BE-ja që ta përshpejtojë procesin e zgjerimit, duke e cilësuar këtë si politikën më të suksesshme të bllokut evropian për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit.

Në rastin e Kosovës, PE-ja rikujton se “dinamika e procesit të integrimit do të varet nga progresi në sundimin e ligjit, në të drejtat themelore dhe në normalizimin e raporteve me Serbinë”.

Sa i përket dialogut për normalizim raportesh, pritet që porosia e njëjtë të jetë edhe për Kosovën, edhe për Serbinë – se ato duhet t’i zbatojnë të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshjet që kanë arritur dhe se normalizimi gjithëpërfshirës i raporteve do të arrihet përmes njohjes së ndërsjellë. /Albanianpost.com

Read Previous

Von der Leyen: BE po bën gjithçka për të shkatërruar makinën luftarake të Putinit

Read Next

Të mërkurën vazhdoni gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së