Aktualisht në Qendrën e Shëndetit Mendor në Gjakovë janë 12 persona të cilët trajtohen në kuadër të kësaj qendre. Mirëpo, numri graviton, çdo ditë këtu vijnë nga 7,8 persona për qëndrim ditor. Kështu ka thënë Besnik Stuja, drejtor i kësaj veprimtarie. Ai më tej ka përmendur edhe tri programet madhore, një prej tyre është realizimi i vizitave specialistike dhe psikologjike.
Pandemia, është një nga sfidat që ka afektuar edhe disa shërbime, por sërish këtu e kanë gjetur mënyrën për të funksionuar krahas masave anticovid-19.
Pos qëndrimit ditor, funksionon edhe Qendra e Shëndetit Mendor për komunitetin. Infermierja, Alma Bardhi Morina tregon se të gjithë e kanë kaluar covidin dhe janë të vaksinuar. Ajo ka folur edhe për barnat. Me ç’rast ka treguar se terapia e dhënë nga psikiatri sigurohet nga kjo qendër, ndërsa terapi të tjera të ordinuara ka raste kur sigurohen nga familjarët.
Bëjmë të ditur se shërbimi profesional i shëndetit mendor të Gjakovës përbëhet nga tri njësi Qendra e Shëndetit Mendor, Shtëpia për Integrim në Bashkësi dhe reparti psikiatrik i cili është në kuadër të spitalit të përgjithshëm “Isa Grezda”.