Vitia garanton: S’do të ketë manipulime në listën e barnave dhe as rritje të çmimeve

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në Komisionin për Shëndetësi gjatë raportimit për listën zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale, ka premtuar se s’do të ketë tendenca për manipulim e s’do të ketë rritje të çmimeve të barnave – ndonëse e njëjta është anuluar me 7 qershor për shkak të parregullsive që ka pasur.

“Unë ju garantoj që nuk do të ketë qasje dhe as tendenca për manipulime. Nuk do të ketë as rritje të çmimeve të barnave, do të jemi të gjithë dëshmitarë në muajt e fundit të këtij viti kur do të filloj zbatimi i këtij ligji dhe do të jetë lista përfundimtare”, deklaroi ai.

Duke shtuar se, “të gjithë institucionet e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës, do t’i marrin barnat me çmim shumë të ulët, sesa që janë tani”.

Për problemet e depove të barnave ai e ka vlerësuar vetën si tejet “të zëshëm”, për të zgjidhur problemet që ka pasur kjo depo ndër vite.

“Kam qenë i zëshëm që nga viti 2009-2010 për mënyrën se si janë ruajtur barnat. Asnjë depo deri tani nuk i ka plotësuar as për afërmi kushtet për ruajtën e barnave, për këtë arsye menjëherë në fillim të vitit të kaluar së bashku me AKP-në, kemi filluar bisedimet për transferimin e një objekti në Ministrinë e Shëndetësisë, që të nisim investimet”.

“Fatkeqësisht, aty pastaj ka dalur një pronë private, në të cilën pastaj e ka vonuar pak procesin sepse është dashur të bëhet zhvlerësimi, proces ky që ka përfunduar në një mbledhje të Qeverisë dhe tani jemi në procedura për investime në barnatore qendrore”, ka deklaruar Vitia.

Ndryshe, që nga paslufta në Kosovë, asnjëherë spitalet publike në Kosovë nuk kanë arritur ta përmbushin listën esenciale të barnave 100 për qind.

Si rrjedhojë, vazhdimisht ka pasur mungesë të tyre dhe pacientët detyrimisht janë obliguar që gjatë trajtimit t’i blejnë vetë ato./Albanianpost.com

Read Previous

Rabiot: E njohim Spanjën, por ne e duam finalen

Read Next

Gërmimet arkeologjike në Amantia zbulojnë të tjera varre monumentale