Një person ka humbur jetën gjatë një aksidenti zinxhiror në një autostradë, ku u përfshinë rreth 200 vetura në qytetin kinez Zhengzhou.
Pamjet e filmuara nga ajri shfaqin veturat, furgonët e kamionët të përplasur njëri pas tjetrit në autostradë, si rezultat i mjegullës së dendur.
Sipas policisë kineze, aksidenti ndodhi si pasojë e dukshmërisë së dobët dhe mjegullës së madhe.
“Të mërkurën në mëngjes, pati një akumulim të papritur të mjegullës në urën e lumit të verdhë në Zhengzhou, duke shkaktuar një aksident trafiku duke përfshirë shumë automjete”, thanë autoritetet, duke shtuar se një person mbeti i vdekur.
Shumë nga të lënduarit kanë mbetur të bllokuar në automjetet e tyre, dhe departamenti i zjarrfikësve dërgoi 11 kamionë zjarrfikës dhe 66 zjarrfikës për të ndihmuar.
“Kjo është e tmerrshme. Ka shumë njerëz këtu, nuk mendoj se mund të zbresim nga ura”, dëgjohet të thotë një person në një regjistrim. /Telegrafi/