Gjykatësit shqiptarë vazhdojnë punën në Veri

Gjyqtarët dhe stafi administrativ shqiptarë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të mërkurën po e vazhdojnë punën në veri.

Lajmin e ka bërë të ditur administratorja e gjykatës Lumnije Surdulli.

Ajo ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se puna është duke vazhduar normalisht dhe po ofrohen shërbime për qytetarët.

Ndryshe, të martën, nënkryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Bekim Veliqi, njoftoi se gjykatësve dhe stafit të kësaj gjykate – Departamenti i Krimeve të Rënda dhe Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, për shkak të pasigurisë dhe pamundësisë së lëvizjes iu është pamundësuar qasja në objektin e gjykatës në veri.

“Nuk është e vërtetë që jemi shpërngulur në jug, ne dhe i gjithë stafi kemi qenë të gatshëm për të vazhduar punën në objektin e gjykatës në Veri, por për shkak të pasigurisë dhe pamundësisë së lëvizjes nga barrikadat dhe grupet e caktuara që qëndrojnë pas barrikadave, na është pamundësuar qasja në objektin e gjykatës në veri”, ka thënë Veliqi.

Ndryshe, mëngjesin e së martës është vendosur edhe një barrikadë e re në veri, në Lagjën e Boshnjakëve, përkatësisht në udhëkryqin tek Shkolla Teknike, si një nga rrugët që lidhë veriun e Mitrovicës me jugun, ku është pamundësuar lëvizja e lirë edhe në qytet. /BetimipërDrejtësi

Read Previous

Xhubleta në pulla postare të Kosovës

Read Next

VIDEO/ Aksident zinxhiror në Kinë, përfshihen 200 vetura