Rikthehen dy piktura të Renoir-it, një muaj pas vjedhjes nga muzeu në Francë

Dy piktura të artistit të njohur francez Pierre-Auguste Renoir janë rikuperuar, rreth një muaj pasi u vodhën nga një muze në qytetin Cagnes-sur-Mer, në jug të Francës. Lajmin e bëri të ditur të premten kryetari i bashkisë, Bryan Masson.

“Madame Colonna Romano” dhe “Jeune femme au puits” ishin dy veprat që grabitësit arritën t’i merrnin gjatë bastisjes së muzeut në fillim të shtatorit. Sipas autoriteteve lokale, autorët hynë në ambientet e muzeut pasi prenë rrethojën dhe thyen një dritare, ndërsa për të shkëputur pikturat nga vendet ku ishin ekspozuar përdorën një sharrë elektrike.

Vjedhja zgjati vetëm pak minuta dhe ndodhi pak para orës 06:00 të mëngjesit. Aktivizimi i alarmit dhe sirenat e policisë i detyruan grabitësit të largoheshin me nxitim, duke lënë pas dy vepra të tjera të Renoir-it, përfshirë portretin “Coco lisant”, ku paraqitet djali i tij i vogël, Claude, duke lexuar.

“Dy pikturat nuk janë thjesht vepra arti. Ato janë pjesë e historisë së qytetit tonë”, deklaroi Masson, duke e cilësuar rikuperimin e tyre si një lehtësim të madh. Megjithatë, ai nuk dha detaje për vendin ku u gjetën veprat apo për gjendjen e tyre. Deri më tani, policia nuk ka bërë një deklaratë zyrtare lidhur me rikuperimin.

Një burim pranë hetimeve i tha agjencisë AFP në fillim të kësaj jave se pesë persona ishin arrestuar në kuadër të hetimeve për vjedhjen. Policia kishte deklaruar më herët se autorët dukeshin të përgatitur dhe se mund ta kishin vëzhguar paraprakisht muzeun.
Muzeu Renoir ndodhet në shtëpinë e fundit të artistit, rreth gjysmë ore larg Nicës, ku ai jetoi deri në vdekjen e tij më 1919, në moshën 78-vjeçare. Koleksioni përfshin nëntë piktura të Renoir-it, skulptura dhe objekte personale të artistit.

Rikuperimi i veprave vjen në një kohë kur një varg vjedhjesh në muzetë franceze, përfshirë atë të Luvrit, ka rikthyer vëmendjen te siguria e institucioneve kulturore. Ndërsa katër të dyshuar për grabitjen e bizhuterive të Luvrit janë arrestuar, sendet e vjedhura ende nuk janë gjetur./KultPlus.com

Read Previous

New York mbushet me Spider-Man, qindra fansa tentojnë rekordin botëror

Read Next

Gratë që kanë fituar Çmimin Nobel për Paqen