Vela: Strukturat ilegale të Serbisë po i frikësojnë serbët e sulmojnë policët

(Foto: Ekonomia Online)

Blerim Vela, shefi i stafit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se strukturat ilegale të Serbisë janë të angazhuar për frikësimin e serbëve në Veri dhe sulmet ndaj policëve.

“Realiteti është se strukturat ilegale dhe kriminale të Serbisë janë angazhuar në frikësimin e koordinuar të serbëve vendas dhe sulmet ndaj oficerëve dhe institucioneve të Policisë së Kosovës”, shkroi ai në Twitter.

Sipas tij, barrikadat kanë bllokuar lirinë e lëvizjes, “ndërsa veprimet e grupeve kriminale janë kundër shtetit ligjor”.

Ndërsa këtë të enjte pritet të mbahet një protestë në Rudar të Zveçanit kundër deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, pasi këta dy fundit kërkuan heqjen e barrikadave në Veri.Protesta është organizuar nga i ashtuquajturi shtabi i krizës në veri të Kosovës, i formuar nga serbët lokalë.

Ndryshe, Kurti gjatë një interviste për The Guardian, pati thënë se që heqja e barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat dhe për këtë arsye po veprojnë me shumë kujdes.

“Shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë mundësinë e viktimave. Dhe kështu ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizime dhe se do të ketë paqe dhe siguri relative”, kishte theksuar Kurti për The Guardian.

Ndërkaq ambasadori gjerman në Prishtinë, Joern Rohde, tha gjatë një interviste në KTV se barrikadat duhet të hiqen deri për Krishtlindje, si dhe kërkesa e Beogradit për kthimin e forcave serbe në Kosovë është absurde dhe e papranueshme. /Albanianpost.com

Read Previous

EULEX: Situata në veri është e paqëndrueshme, kemi shtuar praninë në terren

Read Next

Protesta e serbëve në veri, Policia e Kosovës del me komunikatë