Varësia ndaj gazit rus, Danimarka përgatit revolucionin energjetik për Evropën

Pas fillimit të luftës në Ukrainë, Evropa shpejt u përqendrua në një qëllim: përballë kërcënimit nga Rusia, ajo duhej të reduktonte varësinë e saj nga gazi i këtij vendi.

Disa shtete të Bashkimit Evropian, si Estonia, Letonia apo Finlanda kanë një varësi pothuajse 100%, ndërsa në të tjera si Gjermania kjo varësi është rreth 50%. Për këtë arsye dhe sidomos pas sanksioneve ndaj Rusisë, duhen alternativa.

Danimarka, edhe para konfliktit, po punonte për ndërtimin e të ashtuquajturve “ishuj energjetikë”, me të cilët do të ngrohej në dimrat e gjatë dhe të ftohtë nordikë. Një projekt mbi të cilin kishte punuar prej dy vitesh dhe që javën e kaluar i dha një hov kur qeveria njoftoi se synon të përshpejtojë zhvillimin e tij.

Në këta ishuj artificialë, të vendosur në Detin e Veriut, do të ketë turbina me erë. Vlerësimet tregojnë se me to, Danimarka mund të gjenerojë më shumë energji sesa ato të prodhuara nga fermat e tjera të erës në botë. Do të jetë gjithashtu projekti më i madh ndërtimor në vend, me një buxhet përfundimtar prej më shumë se 32 miliard euro.

Përfundimi i punimeve ishte planifikuar për vitin 2030, por me fillimin e konfliktit Rusi-Ukrainë, qeveria daneze ka zgjedhur të përshpejtojë planin, në mënyrë që të ketë sa më shpejt një alternativë të re energjetike ndaj gazit dhe naftës ruse për Evropën. “Danimarka dhe Evropa duhet të çlirohen nga karburantet ruse sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ministri i Klimës, Energjisë dhe Shërbimeve, Dan Jørgensen.

Sipas ministrit danez, kjo rrugë e re do të jetë një “rrugë e gjelbër”, me të cilën do të ndalet financimi i luftës së Vladimir Putin. Sipas tij, Deti i Veriut ka një potencial të madh që energjia e erës të plotësojë nevojat evropiane, kështu që ata synojnë të krijojnë më shumë ishuj, përveç atyre të planifikuar fillimisht në projekt.

Rreth 49% e energjisë së prodhuar nga Danimarka vjen nga burimet e erës, ndaj “potenciali i madh detar duhet shfrytëzuar”. Në fakt, Danimarka u bë vendi i parë që ndërtoi një park eolik në det të hapur, në vitin 1991, kështu që ka përvojën e nevojshme në këtë fushë për të përfituar sa më shumë nga këto parqe. Nga ana tjetër, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, rreth 16% e prodhimit të energjisë varet nga Rusia (krahasuar me 34% gjashtë vjet më parë).

Ajo që ende nuk është e qartë është se ku do të vendosen ishujt e rinj të paralajmëruar javën e kaluar, të cilët do të kenë si objektiv të ndihmojnë në rrjedhën e energjisë drejt Evropës. Më 18 maj, do të zhvillohet një takim në Esbjerg, në jug të vendit, në të cilin do të diskutohet për potencialin energjetik në Detin e Veriut. “BE-ja duhet të bëhet e pavarur nga karburantet fosile ruse sa më shpejt të jetë e mundur dhe mënyra më e mirë përpara është që vendet evropiane të punojnë së bashku për të rritur dhe përshpejtuar ndërtimin e energjisë së rinovueshme në Detin e Veriut”, tha ministri danez./A2news/

Read Previous

UEFA publikon listën e skuadrave më të paguara gjatë sezonit 2020-2021

Read Next

Piloti u ndje keq gjatë fluturimit, pasagjeri merr fatet në dorë