UNMIK-u mirëpret uljen e tensioneve dhe heqjen e barrikadave në Veri

Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefja e UNMIK-ut Caroline Ziadeh, përmes një komunikate për media, ka mirëpritur të gjitha masat për uljen e tensioneve në Veri të Kosovës, duke përshirë heqjen e barrikadave.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se barrikadat e vendosura në Veri do të hiqen me fillim të enjten e 29 dhjetorit, pas lirimit të Dejan Pantiç dhe dërgimit të tij në arrest shtëpie si masë e zbutur kjo nga ajo e paraburgimit.

Qeveria e Kosovës vetë nuk vendosi të ndërhynte për largimin e 16 barrikadave, derisa largimin e tyre ia kërkoi KFOR-it.

KFOR-i nuk e bëri e EULEX-i u deklarua që nuk ka kapacitet për ta bërë.

Prandaj thuhet në komunikatën e lëshuar nga ana e UNMIK-ut se shefja Ziadeh pranon përpjekjet e mundimshme të të gjitha palëve, përfshirë partnerëve ndërkombëtarë, për të garantuar sigurinë e popullit të Kosovës në të gjitha komunitetet.

UNMIK-u ndër të tjera ka kërkuar që pas uljes së tensioneve të rifillojë dialogu.

“Ziadeh thekson rëndësinë e mbajtjes së zotimeve dhe rifillimit të bisedimeve për adresimin e plotë të çështjeve të pazgjidhura dhe normalizimin e marrëdhënieve pa vonesë. Ajo shpreh vlerësimin e saj për vendosmërinë e palëkundur të partnerëve ndërkombëtarë për të nxitur dialogun”, thuhet në këtë komunikatë për media. /Albanianpost.com

Read Previous

E pranoi fajësinë, dënohet me gjobë ministrja Hajdari

Read Next

Tahiri: Ligji për zyrtarët publikë do të dërgohet në Kushtetuese, ai i pagave jo