Ukrainasi Sergiy Maslichenko emërohet në krye të BERZH-it në Kosovë

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka emëruar Sergiy Maslichenkon në krye të këtij institucioni për Kosovën.

Maslichenko ka punuar për BERZH-in në Ukrainë, në vitet 2007-2019 në fushën e efiçiencës së energjisë dhe ndryshimeve klimatike, duke menaxhuar reformën e politikave dhe projektet e investimeve.

Sipas njoftimit, në dy vitet e tij të fundit në këtë departament, ai shërbeu si drejtor i Bordit të Fondit të Gjelbër për Rritje. Në periudhën 2019-2020 ka shërbyer si zëvendësministër i Energjisë dhe Mjedisit i Ukrainës dhe më vonë ka themeluar dy platforma financimi për klimën.

“Kthimi i Sergiy në BERZH dhe emërimi në Kosovë vijnë në kohën kur investimet e Bankës në Kosovë po fokusohen gjithnjë e më shumë në energjinë e gjelbër dhe dekarbonizimin e ekonomisë. Vitin e shkuar, 80 për qind e investimeve vjetore të Bankës, që kapën vlerën 91 milionë euro, ishin të dedikuara për energji të gjelbër, efiçiencë të energjisë në ndërtesa, linja të kreditit për NVM për investime në efiçiencën e energjisë dhe projekte të tjera të tranzicionit me karbon të ulët”, njofton BERZH.

BERZH thotë se rreth një e treta e konsumit të përgjithshëm në Kosovë plotësohet nga energjia e ripërtërishme, duke përfshirë hidro, erë dhe solar, dhe biomasë.

“Jam shumë i nderuar të udhëheq punën e rëndësishme të BERZH-it në Kosovë – një vend i ri me potencial të lartë. Mezi pres të punoj së bashku me Qeverinë e Kosovës, komunitetin e biznesit dhe shoqërinë civile për të mbështetur rritjen ekonomike të vendit, ndërtimin e një ekonomie të gjelbër dhe reziliente dhe forcimin e integrimit rajonal dhe investimeve të huaja”, ka theksuar Maslichenko.

Udhëheqësi i mëparshëm i BERZH-it në Kosovë, Neil Taylor, i cili e mbajti këtë pozitë për pesë vjet, ka kaluar në një pozitë në selinë e BERZH-it në Londër duke u fokusuar në transformimin organizativ.

Strategjia aktuale e BERZH-it për Kosovën, e miratuar në janar 2022, fokusohet në zhvillimin e sektorit privat, kalimin në ekonominë e gjelbër dhe forcimin e integrimit dhe lidhshmërisë rajonale. /Telegrafi/

Read Previous

Më 27 shkurt mbahet mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Malit të Zi dhe Shqipërisë, nënshkruhen disa marrëveshje

Read Next

Shefi i NATO-s i kërkon Putinit ta rishqyrtojë pezullimin e traktatit të armëve