Përfaqësuese më të vogla të futbollit, si ajo e Kosovës, mund të përfitojnë nga një vendim që Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) mund ta marrë së shpejti.
E nxitur nga suksesi i Kampionatit Evropian të këtij viti, UEFA po shqyrton për ta zgjeruar ngjarjen sërish dhe për të krijuar një turne me 32 ekipe përfaqësuese. Kjo natyrisht do të jepte shpresa për kualifikim të përfaqësueseve më të vogla, që me formatin aktual e kanë më të vështirë paraqitjen në ngjarjen më të madhe kontinentale të futbollit.
Rishikimi i formatit vjen ndërkohë që është hapur procesi i ofertimit për organizimin e Euro 2028. Vendimi se kush do ta organizojë Evropianin 2028 do të merret deri në fund të vitit 2023, njofton AP të dielën.
Vetëm në vitin 2016 turneu është rritur nga 16 në 24 përfaqësuese. Por UEFA ka filluar të analizojë mundësinë që 32 prej 55 federatave anëtare të saj të dërgojnë përfaqësueset në Euro 2028. Kështu të paktën kanë bërë të ditur për “Associated Press” njerëz të afërt me zhvillimet në futbollin evropian, që kanë folur në kushte anonimiteti.
Natyrisht do të kishte efekt në kualifikime, nëse UEFA vendos për të shtuar edhe tetë përfaqësuese në turneun final. Formati do të duhej të rishikohej ose të hiqen plotësisht kualifikimet, pasi më shumë se gjysma e përfaqësueseve do të ishin në ngjarjen kryesore. Kjo në fakt do ta ulte goxha shumë vlerën e kualifikimeve, ku aktualisht ekipet përfaqësuese garojnë të ndara në dhjetë grupe të ndryshme.
Edhe me formatin aktual me 24 përfaqësuese në Evropian, kualifikimet ofrojnë disa ndeshje jo shumë të forta për një pjesë të përfaqësueseve që thuajse e kanë të garantuar kualifikimin. Ndeshje të tilla do të ishin më pak tërheqëse komercialisht dhe për tifozët, nëse do të luheshin në Evropian.
Anglia, për shembull, ka shënuar 12 gola dhe ka pranuar vetëm një në dy ndeshjet kualifikuese ndaj Malit të Zi. Italia është përballur me Lihtenshtajnin në kualifikime dhe ka fituar 6:0 e 5:0.
Është duke u diskutuar ideja për parakualifikime, për të ndalur herët ekipet më të dobëta, ashtu si ndodh në Azi dhe Amerikën e Veriut për garat kontinentale, njofton AP.
UEFA mund të ndërtojë në popullaritetin e hershëm të garës së re, Liga e Kombeve, që ndanë ekipet në nivele të ndryshme, në bazë të rangimit. Kjo ofron më shumë ndeshje të barabarta dhe do të ishte më e përshtatshme për transmetuesit. Në fund të fundit, UEFA mund të zëvendësojë sistemin kualifikues për Kampionat Evropian, kur të sigurohet që përfaqësueset e mëdha do ta kenë ende rrugën e qartë për në pjesën finale.
Arsye për zgjerim nga 24 në 32 ekipe është për të zbutur formatin e turneut final.
Nga viti 1996 e deri në vitin 2012 ishin 16 ekipe. Dy të parët në grupe kanë avancuar në çerekfinale. Përfshirja e një të tetës së finales prej Euro 2016, ka siguruar avancim nga grupi për dy më të mirët dhe katër më të mirët e vendit të tretë. Kjo ka bërë që Zvicra, për shembull, të pres deri të përfundojnë ndeshjet në grupet e tjera për të mësuar nëse do të avancojë nga grupi në Euro 2016. Raste të tilla kishte edhe në Euro 2020.
Evropiani me 32 skuadra do ta zvogëlonte atë rrezik në fazën e grupeve. Po ashtu nuk do të kishte gjasa që Franca, Gjermania e Portugalia të jenë në të njëjtin grup dhe të avancojnë.
Me zgjerim, UEFA do të shkonte gjurmëve të FIFA-s që ka vendosur për ta rritur Botërorin nga 32 në 48 skuadra prej vitit 2026. Rishikimi i procesit kualifikues për turnetë vjen pasi FIFA po shikon për të riorganizuar kalendarin ndërkombëtar pas vitit 2024. Kjo përfshin periudhat kur klubet duhet të lirojnë lojtarët për aktivitete të përfaqësueseve.
Ndërsa ka arsye sportive për të rritur turnetë, kjo po ashtu ndihmon liderët e trupave udhëheqës të futbollit që të afrohen me vendet, falë votave të të cilave janë në pozita. Vendet e vogla do të kenë gjasa më të mëdha për kualifikim.
Nuk është e qartë se kur UEFA mund të vendosë për ta zgjeruar Evropianin. Italia, që për herë të fundit ka organizuar turne të madh në vitin 1990, është konsideruar kandidate për ta organizuar Euro 2028. Por, stadiumet e saj duhet të përmirësohen shumë për të përballuar edhe një Evropian me 24 përfaqësuese. Rusia ka infrastrukturën e duhur, pas ndërtimeve që bëri për Botërorin 2018. Turqia mund të jetë kandidate për ta organizuar ngjarjen, pasi dështoi në vitin 2012 dhe 2016.
Kosova është paraqitur për herë të parë në kualifikime evropiane në ato për Euro 2020. Mbeti e treta në grup, prapa Anglisë dhe Çekisë. Me një Evropian me 32 përfaqësuese, vendi i tretë ndoshta do të ishte i mjaftueshëm për kualifikim./KOHA/