Sapo ke lënë cigaren? Lëkura jote ka nevojë për një kohë të domosdoshme për t’u rigjeneruar. Minimumi? Një javë për të humbur gjurmët e nikotinës në duart e tua, maksimumi dy muaj për të zbehur ngjyrën gri të fytyrës…
Ndoshta ka qenë ky momenti i duhur për t’i thënë mjaft cigares. Më në fund e ke kuptuar se cigare pas cigare, muaj pas muaji dhe vit pas viti, lëkura jote po i ngjante gjithnjë e më shumë një toke të tharë. Tani që ke ndaluar tymin e duhanit që prek lëkurën dhe mushkëritë e tua, je në një dilemë dyfishe.
Një kontroll i paevitueshëm i dëshirës për nikotinë dhe shqetësimet për numrin e kilogramëve që priten të shtohen që nga dita e lënies së duhanit. Qëndro fort dhe mos u dorëzo. Përpiqu ditë pas dite të ulësh dëshirën për duhanin dhe njëherësh të kuptosh se me pak vullnet të mirë mund të mos u dorëzohesh ushqimeve në rritje që kërkon çdo ditë trupi yt.
Mos harro se ditë pas dite lëkura jote do të rifitojë shkëlqimin e humbur, duart do të humbasin dridhjet e javës së parë dhe numri i kilogramëve shumë shpejt do të stabilizohet. Sigurisht do të të duhet të kuptosh me saktësi se sa ditë do të kalojnë që këto gjëra që thamë më sipër të ndodhin vërtet. Shumë shkurt dhe shpejt po të ndihmojmë për t’u njohur me kohën teknike që të duhet për të fituar shkëlqimin e humbur të lëkurës tënde.
7 ditë për të zhdukur të verdhën e nikotinës nga gishtat
Mjafton vetëm një javë për të hequr të verdhën bezdisëse të nikotinës nga gishtat dhe thonjtë, krijuar nga kohëzgjatja e pirjes së cigareve njëra pas tjetrës.
Idealja do të ishte që çdo ditë duart të qëndrojnë në ujë të vakët për dhjetë minuta. Në këtë mënyrë fillon të krijohet pastrimi i zonave më të zverdhura, të cilat ndihmohen më pas nga një furçë dhëmbësh që nuk përdoret më. Më pas gishtat zhyten në tulin e një gjysme limoni. Dhe në fund shpëlahen duart dhe lyhen me vaj esence limoni.
20 ditë për të rregulluar urinë
Uria është e para që të bën më nervoze që nga momenti i parë i lënies së cigares. Por me pak vullnet mund të mbash nën kontroll sulmet e urisë në 20 ditët e para. Përdor një strategji: mbushe frigoriferin plot me sallata dhe perime të lara dhe të prera, gati për t’i ngrënë. Mirë do të ishte të zgjidhnit karota, selino dhe sallatë jeshile. Janë shumë të pasura me vitamina dhe ndihmojnë në rigjenerimin e organizmit dhe të lëkurës.
Tymi i cigares, veç dëmeve të tjera, varfëron edhe bagazhin vitaminoz të organizmit. Mjafton të dini që një cigare e vetme djeg 25 mg vitaminë C, që është e barabartë me një gotë lëng portokalli të shtrydhur. Kjo është arsyeja që kur lë duhanin duhet të “zhytesh” në fruta dhe perime. Ushqimet jeshile janë perfektë për t’u konsumuar midis vakteve, për drekë ose për darkë. Në këtë mënyrë, shtimi i karbohidrateve, përveçse do t’ju japë një ndjenjë ngopjeje, do të stimulojë edhe prodhimin e serotoninës, hormon që ndihmon në përmirësimin e humorit dhe në qetësimin e stresit që sjell mungesa e duhanit.
30 ditë për të rifituar energji
Duhet të paktën një muaj për të rifituar energjinë dhe të arrish të mbushësh përsëri mushkëritë me ajër. Për ata që kanë dëshirë të këndojnë, do të kenë një zë më të qartë dhe melodik./Telegrafi