Trump u ndalon hyrjen në SHBA shtetasve nga 12 vende

Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur një ndalim hyrjeje në Shtetet e Bashkuara për 12 vende: Afganistani, Myanmari, Çadi, Republika e Kongos, Guinea Ekuatoriale, Eritrea, Haiti, Irani, Libia, Somalia, Sudani dhe Jemeni.

Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se ndalimi synon të mbrojë vendin nga “terroristët e huaj dhe kërcënimet e tjera ndaj sigurisë kombëtare”.

Trump vendosi gjithashtu të kufizojë pjesërisht hyrjen e qytetarëve të 7 vendeve: Burundi, Kuba, Laosi, Sierra Leone, Togo, Turkmenistani dhe Venezuela. Kufizimet, thekson shënimi i Shtëpisë së Bardhë, vlejnë si për migrantët ashtu edhe për jo-migrantët.

Presidenti tha se e mori vendimin pas sulmit antisemit në Boulder të Kolorados. Egjipti, vendi i origjinës së sulmuesit Mohamed Soliman, nuk është ndër vendet e prekura nga masa, raporton A2 CNN.

Trump njoftoi gjithashtu se ka ndaluar vizat për studentët e huaj në Harvard.

“Kam vendosur se është e nevojshme të kufizohet hyrja e shtetasve të huaj që kërkojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara ekskluzivisht, ose kryesisht për të marrë pjesë në një kurs studimi në Harvard ose në një program shkëmbimi të organizuar nga universiteti”, thuhet në deklaratë.

Universiteti i Harvardit e quajti urdhrin ekzekutiv të lëshuar dje nga Donald Trump një urdhër “hakmarrës”, përcjell A2 CNN.

“Ky është një tjetër veprim i paligjshëm hakmarrës nga administrata, në shkelje të të drejtave të Amendamentit të Parë të Harvardit. Harvardi do të vazhdojë të mbrojë studentët e tij ndërkombëtarë”, tha një zëdhënës i institucionit.

Në këto kushte, Ministri i Brendshëm i Venezuelës Diosdado Cabello tha: “Të qenit në Shtetet e Bashkuara përbën një rrezik të madh për të gjithë, jo vetëm për venezuelianët.”/reporteri/

Read Previous

Vatikani zbulon se çfarë i tha Papa i ri Putinit në telefonatë

Read Next

Mbi 31,000 të evakuuar nga zjarret në Kanada