Presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar Rezervën Federale pasi kjo e fundit mbajti të pandryshuara normat e interesit në mbledhjen e së mërkurës.
Përmes një postimi në medias sociale, Trump akuzoi bankën qendrore të Amerikës dhe kryetarin e saj Jerome Powell për keqpërdorim të ekonomisë, duke thënë se ata kishin dështuar të ndalonin problemin që krijuan me inflacionin.
Rezerva Federale la të pandryshuar normën bazë të interesit në takimin e janarit në intervalin 4.25% – 4.5%, pas disa uljesh në fund të vitit të kaluar. Powell tha se banka nuk po nxitohej në uljen e normave duke pasur parasysh pasiguritë e mëdha për perspektivën e ekonomisë.
Trump ndërkohë ka premtuar ndryshime të rëndësishme në ekonominë amerikane, me thirrje për tarifa gjithëpërfshirëse, deportime masive të emigrantëve dhe shkurtime të mëdha të taksave.
Disa ekonomistë kanë paralajmëruar se disa nga këto politika mund të ushtrojnë presion mbi çmimet, të paktën në një periudhë afatshkurtër, shqetësime të ngritura edhe nga Rezerva Federale.
Howard Lutnick, i zgjedhuri i Trump për të udhëhequr Departamentin e Tregtisë mbrojti planet për tarifat dhe hodhi poshtë shqetësimet për ndikim në çmime për konsumatorët. Por, kreu i rezervës Federale Jerome Powell tha se komiteti do të presë për të parë se çfarë do të ndodhë realisht.
Banka qendrore amerikane rriti ndjeshëm kostot e huamarrjes duke filluar nga vitit 2022 në një përpjekje për të stabilizuar çmimet. Inflacioni në dhjetor ra në 2.9%, por sërish mbetet mbi objektivin e bankës prej 2%.
Premtimet e fushatës së Trump përfshinin edhe thirrje për norma më të ulëta interesit, të cilat do të sillnin lehtësim për huamarrësit. Diçka që ka ndezur edhe një debat nëse ai do të respektojë apo jo pavarësinë e Rezervës Federale që synon të mbajë vendimmarrjen larg nga politika./abcnews.al