Donald Trump, në një intervistë të fundit për ABC News, foli për 100 ditët e para pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, por në vend që të përqendrohej te çështjet aktuale politike, vëmendjen e publikut e tërhoqi diçka krejt tjetër – interpretimi i tij i një dokumenti historik që themeloi Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë intervistës, presidenti amerikan i shfaqi gazetarit një kopje të Deklaratës së Pavarësisë dhe, kur u pyet se çfarë përfaqëson ajo për të, u përgjigj “do të thotë pikërisht atë që shkruan. Është një deklaratë, një deklaratë uniteti dhe dashurie dhe ka shumë rëndësi për mua. Është diçka e veçantë për vendin tonë”.
Pjesa nga intervista u përhap shpejt në rrjetet sociale, ku u bë sërish objekt talljeje për shkak të keqinterpretimit të Deklaratës së Pavarësisë.
Shumë përdorues komentuan se emigrantët që duan të bëhen shtetas amerikanë duhet të tregojnë njohuri themelore mbi historinë dhe sistemin politik të SHBA-së, përfshirë edhe Deklaratën e Pavarësisë.
Gjatë procesit të natyralizimit, kandidatët japin një test për njohuritë qytetare, ku pritet, ndër të tjera, të dinë çfarë është Deklarata, kush e ka shkruar dhe pse është e rëndësishme.
Disa historianë dhe komentues theksuan se deklarata e Trump jo vetëm që është e pasaktë, por edhe jashtëzakonisht e thjeshtuar.
Profesori i historisë në Yale, David Blight, i tha gazetës The Atlantic se “Deklarata e Pavarësisë është një nga dokumentet më të fuqishme të rezistencës në historinë e botës perëndimore, jo një këngë uniteti, por një thirrje e fuqishme për rebelim dhe përçarje”.
Historiania Jill Lepore nga Harvardi ishte e një mendimi të ngjashëm, e cila i tha NPR-së se “Deklarata të tilla tregojnë një kuptim sipërfaqësor jo vetëm të historisë amerikane, por edhe të vlerave demokratike mbi të cilat u themelua vendi”.
Ndryshe, deklarata u miratua në vitin 1776 nga delegatët e Kongresit të Dytë Kontinental në Philadelphia, dhe autori i saj më i njohur është Thomas Jefferson.
Ajo paraqet arsyet pse kolonitë nuk e njohin më autoritetin e Mbretit britanik George III-të, dhe teksti thekson qartë të drejtën e popullit për vetëvendosje, duke deklaruar “Ne i mbajmë për të vërteta të vetëkuptueshme këto gjëra: Se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë…”
Me fjalë të tjera, dokumenti është shkruar si një dënim i drejtpërdrejtë i tiranisë britanike, e jo si një thirrje pajtimi apo si një shprehje dashurie kombëtare. /Telegrafi/