Trump i bën thirrje kreut të Bankës Qendrore Amerikane të japë dorëheqjen menjëherë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë thirrje që kryetari i Rezervës Federale të japë dorëheqjen menjëherë, në një përshkallëzim të sulmeve të tij ndaj Jerome Powell.

“Tepër vonë, duhet të japë dorëheqjen menjëherë”, shkroi Trump në Truth Social.

Ai gjithashtu vendosi një link për një artikull në lidhje me një rregullator federal të strehimit në SHBA, i cili kërkonte që Powell të hetohej për dëshminë e tij në lidhje me rinovimet në selinë e Bankës Qendrore në Uashington.

Bëhet e ditur se Trump e nominoi Powell për të qenë kryetari i Rezervës Federale gjatë mandatit të tij të parë.

Që atëherë, ai e ka kritikuar vazhdimisht atë për mos uljen e normave të interesit, por është e paqartë nëse presidenti ka autoritetin ta shkarkojë atë nga posti.

Pavarësisht kritikave të vazhdueshme të presidentit ndaj Powell, ai tha më parë këtë vit se “nuk kishte ndërmend ta shkarkonte”.

Bëhet e ditur se Trump dëshiron që Rezerva Federale të ulë normat e interesit për të ndihmuar në nxitjen e rritjes ekonomike, shkruan BBC.

Powell tha se Rezerva Federale do t’i kishte ulur normat tashmë nëse nuk do të kishte qenë për ndikimin e politikave tarifore të Trumpit.

Ndryshe, Powell u riemërua në këtë pozicion nga presidenti i atëhershëm Joe Biden dhe mandati i tij aktual do të përfundojë në maj 2026.

Përpara kthimit të Trumpit në pushtet në fillim të këtij viti, Powell tha se nuk do të jepte dorëheqjen nëse presidenti do t’ia kërkonte dhe se “nuk lejohet sipas ligjit” që Shtëpia e Bardhë ta detyrojë atë të largohet.

Raportohet se anëtarët e bordit të agjencive federale të pavarura si Rezerva Federale mund të detyrohen të largohen vetëm para se të skadojnë mandatet e tyre, sipas një vendimi historik të Gjykatës Supreme të SHBA-së në vitin 1935.

Megjithatë, Trump shpesh ka sfiduar normat politike, duke përfshirë shkarkimin e disa rregullatorëve të pavarur, veprime që janë kontestuar në gjykatë. /Telegrafi/

Read Previous

Tyson Fury planifikon rikthimin në boks

Read Next

FIFA ulë çmimet e biletave për çerekfinalet e Kupës së Botës për Klube