Klubi i basketbollit Trepça e ka marrë një lajm të madh sot.
Në fakt, mitrovicasit e kanë fituar të drejtën e organizimit të turneut kualifikues të FIBA Europe Cup.
Ata e kanë zbuluar edhe letrën konfirmuese që e kanë marrë nga FIBA.
Me këtë rast, ekipet evropiane do të zbarkojnë në palestrën e sporteve “Minatori”.
Prej 27 deri më 30 shtator në palestrën mitrovicase do të luhen ndeshjet e njërit grup kualifikues të FIBA Europe Cup.
Fillimisht, më 27 shtator “Xehetarët” do të luajnë me Gottingenin e Gjermanisë, ndërsa AEK Larnaca e Qipros me skuadrën nga Islanda, Thor Thorlakshofn.
Fituesit e këtyre ndeshjeve më 28 shtator përballen me Sportingun portugez, përkatësisht me Antëerpin belg.
Më 30 shtator është finalja që e përcakton se cila skuadër kalon në fazën grupore.
“Është organizim i madh në debutimin tonë në skenën evropiane. Por, sfidat na rritin. Shpresojmë të dëshmohemi si nikoqir shembullor dhe për Trepçën të dëgjohet në shumë vende evropiane”, ka shkruar klubi mitrovicas në faqen zyrtare në “Facebook”.
Trepça po rikthehet në nivelet e dikurshme dhe pritet ta thotë fjalën kryesore në basketbollin kosovar edhe në edicionin e ri të Superligës, por synon të ketë paraqitje edhe në garat evropiane.
/Gazeta Express/