Totaj: Efikasiteti i Gjykatës së Apelit në zgjidhjen e lëndëve për korrik-shtator 2022 është 88.7%

Në raportimin e tij para Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), kryetari i Gjykatës së Apelit Valon Totaj ka thënë se në tremujorin e 3-të të vitit 2022 Gjykata e Apelit ka pasur një efikasitet prej 88.7%, përkatësisht numri i përafërt i lëndëve të papërfunduara janë rreth 15.800 lëndë.

Megjithatë ai ka kërkuar nga Këshilli që ky numër të merret me rezervë për shkak të procesit të verifikimit dhe barazimit të lëndëve me sistemin SMIL, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ka rezultuar që ky numër të jetë pak i fryrë sepse për fat të mirë mund të them që numri i lëndëve të cilat aktualisht i kemi në gjykatë mund të jetë më i vogël”, ka theksuar kryetari Totaj.

Sa i përket seancave të shtyra, ai ka thënë se në Gjykatën e Apelit rrallë ndodhë që të shtyhet ndonjë seancë sidomos në civile duke theksuar që as në këtë tre mujor nuk ka ndodhur.

“Në Departamentin e Krimeve të Rënda e kemi pas një seancë e cila është shtyrë, për të cilën është hapë shqyrtimi kryesor për shkak të marrjes së një prove”, ka shtuar kryetari Totaj.

Ndërsa, lidhur me lëndët e parashkruara apo ato që rrezikohen të parashkruhen, ai ka përmendur dy raste të parashkruara të cilat janë pranuar në Gjykatën e Apelit, të cilat janë dërguar nga Gjykata Themelore në Prizren, dega Dragash dhe Gjykata Themelore në Mitrovicë.

“Po ashtu i kemi pranuar edhe dy lëndë të cilat kanë qenë tri  ditë para parashkrimit nga Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenice dhe Gjykata Themelore në Prishtinë”, ka theksuar Totaj.

Tutje, kryetari Totaj ka njoftuar që sa i përket veprimeve për rastet e shënjestruara, gjyqtari i Departamentit Special, Burim Ademi i cili është edhe koordinator i këtyre lëndëve është i shqetësuar lidhur me lëndët në prokurori në të cilat nuk ka qasje.

Këtë ai e ka shprehur si mungesë e vullnetit apo si pengesë nga ana e Prokurorisë Speciale për të ofruar të dhëna lidhur me këto lëndë.

Lidhur me performancën e gjyqtarëve, i njëjti ka thënë se në këtë tremujor performanca rezulton të jetë 88.7% në përgjithësi.

Në raport me Strategjinë për efikasitetin dhe prioritizimin e lëndëve të miratuar nga KGJK, kryetari i Apelit ka përmendur lëndët civile në vitet 2018-2020, të cilat lëndë për vitin 2018 kanë mbetur të pazgjidhura edhe 101 lëndë, në vitin 2019 rreth 905 dhe në vitin 2020 afër 2000 lëndë.

Sa i përket lëndëve penale, kryetari ka informuar KGJK-së që janë gjithsej 10 lëndë të papërfunduara për vitin 2021, prej tyre nëntë (9) lëndë të divizionit të Mitrovicës dhe një (1) lëndë e Gjykatës në Prishtinë.

Nga Departamenti i Krimeve të Rënda rezultojnë të pakryera 8 lëndë, prej tyre katër (4) të divizionit të Mitrovicës dhe katër (4) të tjera të Gjykatës në Prishtinë.

Në raport me lëndët e korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjithsej lëndë të korrupsionit janë përmendur 17 lëndë të përfunduara dhe 23 lëndë në punë ndërsa lëndë të krimit të organizuar gjithsej kanë qenë në punë 3 lëndë, kanë përfunduar 2 lëndë dhe ka mbetur e pazgjidhur vetëm 1 lëndë.

Për lëndët që kanë të bëjnë me shujtat, pagat jubilare dhe kontestet e tjera të punës, kryetari Totaj ka thënë që janë pranuar 828 lëndë, 700 prej tyre vetëm paga jubilare dhe shujta ndërsa konteste të punës 128 lëndë, gjithsej të zgjidhura rreth 80 lëndë.

Ai ka vazhduar raportimin duke theksuar që Gjykata e Apelit qëndron shumë mirë me publikimin e vendimeve, ku për këtë tremujor ka publikuar 1286 vendime.

Sa i përket dërgimit të lëndëve nga shkalla e parë në shkallë e dytë, Totaj ka thënë se nuk qëndrojnë shumë mirë, duke përmendur një lëndë të pranuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë me një (1) muaj vonesë dhe një tjetër lëndë nga Gjykata Themelore në Prishtinë pas shtatë (7) vitesh.

Për këto vonesa, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj ka thënë se është shqetësuese dhe e pa tolerueshme neglizhenca e administratës në dërgimin e lëndëve në shkallë të dytë apo në gjykata e tjera në kompetencë kur plotësohen kushtet.

Mbledhja po vazhdon me raportimet e kryetarëve të Gjykatave të tjera të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Read Previous

Tërmet i fuqishëm në Turqi, raportohet për të lënduar dhe ndërtesa të dëmtuara

Read Next

BBC: Pse dhe si po vijnë shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar?