Klubet elitare të Evropës tashmë kanë nisur lëvizjet e para në merkaton e verës, ndërsa pritet që muajt e ardhshëm të sjellin edhe më shumë transferime të bujshme.
The Sun ka përzgjedhur disa prej transferimeve “ideale” që mund të ndodhin, bazuar në nevojat aktuale të skuadrave, kualitetin e lojtarëve dhe realizueshmërinë e marrëveshjeve.
Liverpool – Alexander Isak (Newcastle United)
“The Reds” kërkojnë një sulmues të vërtetë pas dështimeve të Darwin Núñez dhe lëvizjeve të mundshme të tij dhe Luis Díaz drejt Arabisë Saudite. Isak shihet si një nga “numrat 9” më të mirë në Premier League dhe një përforcim që do i sillte qetësi ofensivës së Arne Slot. Shitjet e përmendura mund të krijojnë hapësirë financiare për këtë lëvizje.
Arsenal – Ollie Watkins (Aston Villa)
Topçinjtë kanë nevojë urgjente për një sulmues që të përmbushë kërkesat e Artetës: klinik, i gjithanshëm dhe i gatshëm për të ndikuar menjëherë. Watkins, me përvojë të provuar në Premier League, përputhet me këto kritere dhe mund të jetë çelësi për ta çuar Arsenal drejt titullit.
Chelsea – Rodrygo (Real Madrid)
Me mungesë të theksuar në krahët e sulmit – veçanërisht nga lojtari që preferon këmbën e djathtë nga krahu i majtë – Chelsea sheh te Rodrygo zgjidhjen ideale. Brazilianit i është vënë një çmim prej €90 milionë nga Reali dhe dëshira e tij për të luajtur në krahun e preferuar mund ta bëjë të hapur për një transferim.
Manchester City – Pedro Porro (Tottenham)
Pavarësisht shpenzimeve të mëdha, City mbetet pa një mbrojtës të natyrshëm të djathtë pas largimit të Walker. Porro, një produkt i akademisë së Cityt, tashmë i afirmuar në Premier League, është opsioni ideal për t’u rikthyer në Etihad.
Manchester United – Leon Goretzka (Bayern Munich)
Amorim kërkon një mesfushor dinamik, ndërsa Goretzka përputhet perfekt me profilin. Me kontratën që i skadon për një vit dhe me përvojën e tij, gjermani mund të jetë një zgjidhje afatshkurtër shumë e vlefshme për rindërtimin e “Djajve të Kuq”.
Barcelona – Benjamin Sesko (RB Leipzig)
Në vend se të shpenzojë për një tjetër anësor, Barça do të bënte mirë të investonte në pasardhësin e Lewandowskit. Sesko, i ri dhe me stil të ngjashëm me polakun, është një investim që mbulon edhe të tashmen edhe të ardhmen.
Real Madrid – Fabian Ruiz (PSG)
Me Kroos që largohet, Realit i duhet një mesfushor i gatshëm për të kontribuar menjëherë. Fabian, që ka shkëlqyer me PSG-në, është opsion ideal për dy-tre sezone derisa Camavinga dhe Guler të jenë gati për rolin.
PSG – Victor Osimhen (Napoli)
Luis Enrique kërkon një “9” më të besueshëm sesa Gonçalo Ramos. Osimhen është teknikisht dhe fizikisht i përkryer për sistemin e tij, dhe PSG ka fuqinë financiare për ta transferuar përballë çdo konkurrence.
Bayern Munich – Rafael Leao (Milan)
Me Nico Williams afër Barcelonës, bavarezët kthejnë vëmendjen te Leao. Portugali ka gjithçka që duhet për të shkëlqyer në Bundesliga dhe për të plotësuar një treshe ofensive të frikshme me Kane dhe Olise.
Juventus – Viktor Gyokeres (Sporting CP)
Duket se Juventusi ka humbur durimin me Vlahovicin dhe kërkon një profil më konstant. Gyokeres, edhe pse i anashkaluar nga klubet e tjera të mëdha, mbetet një opsion i frikshëm në sulm – dhe bardhezinjtë janë të gatshëm të sakrifikojnë për ta marrë.
Inter – Rodrigo De Paul (Atletico Madrid)
Me Calhanoglun dhe Mkhitaryanin drejt fundit të ciklit, Interi kërkon një mesfushor të qëndrueshëm dhe të fortë fizikisht. De Paul është një “profil i vjetër” që i shkon për shtat stilit të zikaltërve – dhe mund të jetë përforcimi i duhur për një tjetër sezon të suksesshëm në Serie A dhe Evropë. /Telegrafi/