Tifozët e Liverpool-it shkakuan tërmet në fitoren 5-1 ndaj Tottenham-it

Image credit: Reuters

Ishte një ditë e paharrueshme për shumë tifozë të Liverpool-it javën e kaluar, pasi ata u kurorëzuan kampionë të Premier League të këtij sezoni.

Në të gjithë stadiumin, tifozët e lumtur ishin të lehtë për t’u dalluar dhe festimet sigurisht që nuk munguan.

Në fakt, tifozët festuan aq shumë, saqë ndezën monitoruesit e tërmeteve që ishin instaluar në stadium.

Me ndihmën e Universitetit të Liverpulit, Klubi i Futbollit të Liverpool-it instaloi një sizmograf, një instrument që mat lëvizjen e tokës, në tribunën kryesore në “Anfield”.

Dhe, sizmografi regjistroi aktivitet sizmik brenda stadiumit nga turma prej 60,415 tifozësh.

Të dhënat e kapura u analizuan më pas nga studiuesit në Universitetin e Liverpulit. Ato treguan se reagimi ndaj golave ​​gjatë ndeshjes ishte aq i fuqishëm saqë drodhi tokën.

Të dhënat u përqendruan në gjashtë golat e shënuar gjatë ndeshjes.

Sizmografi tregoi disa matje që u kapën në shkallën Rihter, një shkallë e përdorur për të matur intensitetin e një tërmeti.

Goli i Alexis Mac Allister-it në minutën e 24 që i dha avantazhin të kuqve prodhoi kulmin më të lartë, me një magnitudë prej 1.74.

Ben Edwards, një profesor që qëndron pas eksperimentit, tha: “Ashtu si ngjarjet natyrore sizmike, këto gola prodhuan lëkundje të tokës, të shkaktuara nga pasioni i pastër i tifozëve të Liverpool-it. Entuziazmi i tyre ishte fjalë për fjalë mjaftueshëm i fuqishëm sa për të lëvizur Tokën”. /Albanianpost.com

Read Previous

Policia e Kosovës: 65 aksidente trafiku në 24 orët e fundit

Read Next

​GLPS: Dështimi i formimit të institucioneve të reja cenon miliona euro për Kosovën