Gazeta e njohur britanike “The Times” ka raportuar se Britania pritet t’i kërkojë Kosovës të pranojë migrantët si pjesë e planeve për të hapur një seri “qendrash kthimi” jashtë vendit.
Burime të larta qeveritare kanë thënë për “The Times” se Kosova është një vend “i mundshëm” për ngritjen e një qendre kthimi, pasi ndodhet në njërën nga rrugët kryesore që përdorin emigrantët e paligjshëm drejt Bashkimit Evropian.
Sipas Zyrës së Jashtme britanike, gati 22 mijë emigrantë të paligjshëm përdorën rrugën e Ballkanit Perëndimor për të hyrë në Bashkimin Evropian gjatë vitit 2024.
Presidentja Vjosa Osmani kishte deklaruar se Kosova është “e hapur” për bisedime mbi një marrëveshje të mundshme për të pranuar azilkërkuesit e Britanisë.
Përveç Kosovës, në listën e vendeve me të cilat ministrat synojnë të hapin negociata janë edhe Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina dhe disa vende të tjera.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut ishin përmendur si destinacione të mundshme për kthimin e emigrantëve të refuzuar nga Mbretëria e Bashkuar, por presidentja Osmani dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, kishin deklaruar se nuk janë kontaktuar për këtë çështje.
“Nuk është ngritur deri më tani”, kishte thënë Osmani, duke shprehur gatishmërinë për të diskutuar këtë temë.
Ngjashëm me Osmanin ishte shprehur edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
“Duhet të flasim me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar më vonë sot”, kishte thënë ai.
Ndërkohë, kryeministri britanik, Keir Starmer, gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kishte thënë se Mbretëria e Bashkuar është në bisedime me disa vende për ngritjen e qendrave të kthimit të emigrantëve./Albanianpost.com