Tensione të shumta kanë karakterizuar edhe seancën plenare të 17 tetorit në Parlamentin e Shqipërisë, pas përplasjeve të opozitës me Gardën e Republikës.
Një gardh rrethues u vendos fillimisht nga Garda, me qëllim shmangien e përplasjes fizike me opozitën. Por, sërish, kjo gjë nuk e ka ulur tensionin.
Disa deputetë nga radhët e Partisë Demokratike janë përkohësisht të përjashtuar nga zhvillimi i seancave dhe rrjedhimisht, e kanë të ndaluar të futen në ambientet e Parlamentit. Megjithatë, ata kanë kërkuar forcërisht të hyjnë brenda, duke u munduar të shkulin gardhin rrethues metalik.
Kanë qenë deputetët Flamur Noka, Dashnor Sula dhe Bledian Nallbati, ata të cilët kanë qenë më aktivë në përballjet me Gardën, por pa mundur të kalojnë rrethimin.
Nga ana tjetër, një pjesë e deputetëve opozitarë kanë shkaktuar trazira edhe brenda sallës për seanca plenare.
Ata kanë marrë karriget dhe i kanë vendosur mbi foltoren, për të bllokuar punimet e Parlamentit.
Njëkohësisht, kryetarja, Elisa Spiropali, ka kërkuar që seanca të zhvillohet normalisht dhe të mos ketë pengesa nga opozita për mbarëvajtjen e saj.
Edhe pse e përjashtuar ndërkohë, deputetja demokrate Elda Hoti, ia ka dalë të futet në sallën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Ajo është akuzuar nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, se ka hedhur një lëndë të dyshimtë në Kuvend.
Kryeparlamentarja tha se Hoti hodhi benzinë drejt mazhorancës duke iu rrezikuar seriozisht jetën.
“Keni ardhur në Kuvend me benzinë me vete mos provokoni, mos dhunoni deputetët, jeni e përjashtuar nga seanca, dilni jashtë”.
Spiropali u shpreh se rasti do të referohet në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Kjo nuk e ka penguar Hotin të vijojë qëndrimin në seancë, teksa kolegët e saj opozitarë po përplasen me gardën jashtë ambienteve të Parlamentit.
Kuvendi “i blinduar”
Kuvendi i Shqipërisë është blinduar me forca policore dhe prani të shtuar të Gardës së Republikës, nën frikën e një përshkallëzimi të radhës të aksionit opozitar me “mosbindje civile”, i cili ka shkaktuar përplasje gjatë seancave të fundit plenare.
Fillimisht, ka qenë Garda e Republikës, ajo e cila ka rrethuar hyrjen e Kuvendit me një gardh metalik, për të shmangur kështu përplasjet direkte me deputetët.
Një akt ky, që nxiti reagimin e kreut të Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, i cili tha se institucioni “nuk është burg” dhe se “ky është një akt që e turpëron Shqipërinë dhe çdo shqiptar”.
Bardhi shkruan se Shqipëria bëhet kështu vendi i vetëm, që nga njëra anë është vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Evropian, dhe nga ana tjetër rrethon hyrjen kryesore të Kuvendit për ta mbrojtur nga deputetët “armiq”!
Sipas tij, shndërrimi i Kuvendit në “qelinë e rrethuar me hekura” të Pëllumb Gjokës e të ngjashmëve të tij është një akt që turpëron Shqipërinë dhe çdo shqiptar!
Reagimi i plotë:
“Ky është Kuvendi i Shqipërisë sot në mëngjes! Dera kryesore e tij e rrethuar me hekura dhe me më shumë forca sigurie sesa deputetë.
Shqipëria bëhet kështu vendi i vetëm, që nga njëra anë është vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Evropian, dhe nga ana tjetër rrethon hyrjen kryesore të Kuvendit për ta mbrojtur nga deputetët “armiq”!
Kuvendi nuk është burg dhe as qeli burgu, edhe pse shumica e përfaqësuesve të mazhorancës qeverisëse duhet të ishte në burg dhe jo në atë sallë. Shndërrimi i Kuvendin në “qelinë e rrethuar me hekura” të Pëllumb Gjokës e të ngjashmëve të tij është një akt që turpëron Shqipërinë dhe çdo shqiptar!”, deklaron Bardhi.
Njëkohësisht, forca të Policisë dhe zjarrfikëset kanë mbërritur në Kuvend, ku me pajisje fikëse zjarri janë pajisur edhe vetë policët.
Kjo për shkak se ka pasur përplasje javët e shkuara, ku deputetët e opozitës ndërmorën edhe akte të djegies së karrigeve të Parlamentit, apo manekineve me fytyrën e kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Pak orë para seancës parlamentare, PD ka mbledhur grupin parlamentar dhe më pas do t’i drejtohet Kuvendit, ku opozita ka paralajmëruar mosbindje civile.
Nga ana tjetër deputetët e Partisë Socialiste kanë nisur të mbërrijnë në Kuvend rreth 90 minuta para seancës. /Albanianpost.com