Tenistja ruse arrestohet në “Roland Garros” nën dyshimin për kurdisje

Tenistja nga Rusia, Jana Sizikova, është arrestuar të enjten në Paris për dyshimet se ka kurdisur meçet e çifteve në vitin 2020 në Grand Slamin “Roland Garros”, kanë njoftuar mediumet franceze bazuar në burimet policore.

26-vjeçarja që renditet në pozitën 101 në listën e WTA-s, është në paraburgim prej të enjtes mbrëma kur u arrestua menjëherë pasi kishte përfunduar një meç të turneut. Hetimet për këtë çështje kanë filluar prej 1 qershorit për shkak të “korruptimit sportiv” dhe “mashtrimit të organizuar”.

Arrestimi i Sizikovas ka ardhur menjëherë pas humbjes në raundin e parë të çifteve, ku pësoi humbje 6-1, 6-1 në sete.

Sigurimi i turneut është munduar të ndalojë arrestimin e Sizikovas, e cila ishte duke dalë nga seanca e masazhit pas meçit. Hetimet ndaj saj tashmë kanë filluar, pasi ajo po dyshohet për kurdisjen e meçit të vitit të shkuar, në të cilin ishte në çift me amerikanen Madison Brengle dhe pësuan humbje nga Andreea Mitu e Patricia Maria (7-6, 6-4).

Dyshimet dhe hetimet për këto dyshime kishin filluar menjëherë në setin e dytë kur ishin vënë shuma të mëdha në bast se tenistja ruse do të bëjë gabim të dyfishtë gjatë shërbimit. Thuhet se ishin vënë në bast qindra mijëra euro për këtë./Koha.net/

Read Previous

Rregulli i ri i prekjes me dorë do të fillojë të aplikohet në Kampionatin Evropian

Read Next

Policia gjen afër 60 bimë kanabisi në Podujevë