Të rinjtë shqiptarë ndër më të paaftët për zotësi digjitale në Evropë

Të rinjtë shqiptarë nuk janë më të ndriturit në Evropë sa u takon aftësive digjitale. Përkundrazi, ata në fakt mund të jenë në listën e më të paaftëve.

Kështu zbulon raporti i fundit i Eurostat për vitin 2024, i cili shqyrton përdorimin e internetit dhe aftësitë e përdorimit të aftësive digjitale në kontinent, ku e përfshirë në raport ka qenë edhe Shqipëria.

Duke parë raportin, bie në sy fakti se interneti është gjerësisht i përdorur në Shqipëri, ku në tërësi, 85.89% e popullatës ka qasje në internet dhe te të rinjtë akoma më shumë, me 99.28% të tyre, të cilët e përdorin internetin.

Por, mjeti sa duket nuk përputhet me qëllimin dhe në realitet, ky përdorim duket se shkon për çështje shterpë si shfletimi i mediave sociale, përmbajtjeve jo edukuese dhe jo zhvilluese.

Në një grafik të paraqitur nga Eurostat, bie në sy fakti se në Evropë, për vitin 2023, mesatarisht 70.7% e të rinjve (grupmosha 16-29 vjeç) kanë aftësi digjitale minimalisht bazike.

Ky numër është më i lartë në vendet nordike, në gadishullin Iberik, apo edhe në vendet më të zhvilluara.

Teksa, kur harta kalon nëpër Ballkan, ngjyra e gjelbër, e cila reflekton aftësitë digjitale sa më e fortë të jetë, zbehet.

Në Shqipëri, Eurostat raporton se vetëm 1 në 2 të rinj kanë aftësi digjitale minimalisht bazike (49%).

Shifra është më e ulët vetëm në Rumani, ku shkohet në 46%. Ndërsa raporti nuk radhit të dhëna për Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, apo Ukrainën.

Shifra të ngjashme me Shqipërinë kanë edhe Serbia me 51%, apo Bullgaria me 52%.

Teksa, si shembull në rajon, mund të merret Kroacia, e cila shfaqet si një ndër vendet më të zhvilluara në këtë aspekt, me 87% të të rinjve, të cilët kanë minimalisht aftësi bazike digjitale.

Vendi me rezultatin më të lartë megjithatë është Malta, me 92%.

Read Previous

Thatësira në nivelet më të larta në gjithë botën në 121 vitet e fundit

Read Next

Dy biznese mbyllen pas liberalizimit të tregut të energjisë