“Të Vegjlit e Gjakovës” me Arsa Saraqini, nga nesër në TV Syri Vision
Dy biznese janë mbyllur që nga hyrja në fuqi e vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, para gazetarëve të enjten deklaroi se njëri prej tyre kishte të punësuar 300 persona.
“Të gjithë jemi të informuar për dy fabrika në pronësi të investitorëve të huaj, ose me kapital të përzier, të cilat janë mbyllur. Po flasim për rreth 300 punëtorë, në një nga komunat më të varfra të Kosovës, që kanë mbetur pa punë”, deklaroi Zeka para gazetarëve.
Ndër të tjera, theksoi se edhe Ministria e Ekonomisë është njoftuar zyrtarisht për mbylljen e njërës prej këtyre fabrikave.
“Në vend që të reflektojë gjatë këtyre ditëve, Ministria e Ekonomisë dhe Këshilli Kombëtar për Ekonomi dhe Investime kanë dërguar një njoftim për bizneset që të marrin pjesë në një seminar ku do të flitet për mënyrat se si të kalohet më lehtë në tregun e liberalizuar. Është një situatë qesharake”.
Bizneset në Kosovë do të protestojnë sërish më 11 qershor kundër vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë.
Kjo do të jetë protesta e dytë kundër vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë.
Kjo pasi që më 29 maj, bizneset kishin bllokuar tri rrugët kryesore në Prishtinë për të kundërshtuar liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Hyrjet kryesore që ishin bllokuar janë ato nga Veterniku, Fushë Kosova dhe Podujeva.
Kompanitë e mëdha në Kosovë, me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, nga 1 qershori duhet të zgjedhin vetë furnizuesit e tyre me energji elektrike.
Ky vendim do të detyrojë mbi 1 mijë biznese të zgjedhin furnizuesit e tyre të energjisë, mirëpo kalimi në çmime të parregulluara ka hasur në rezistencë nga bizneset, të cilat kanë kërkuar shtyrje të mëtejshme të vendimit, pavarësisht se ky proces është vonuar që nga viti 2017.
