Haxhiu thirrje protestuesve: Dhuna dëmton kauzën, ruajeni qetësinë dhe vazhdoni paqësisht
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Projektligji u votua me 91 vota për. Në momentin e votimit, në sallën e Kuvendit ishin të pranishëm 91 deputetë.
Para se të arrinte në seancë plenare, Projektligji ka kaluar sot edhe në Komisionin për Legjislacion, ku u përkrah në parim në mënyrë unanime. Në votim morën pjesë nëntë deputetë dhe të gjithë votuan pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim.
Projektligji është iniciativë e Partisë Demokratike të Kosovës dhe parasheh ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Pas miratimit në lexim të parë, procedura parlamentare për këtë Projektligj vazhdon me shqyrtimin e tij përpara votimit në lexim të dytë.
Çështja e ndryshimit të Ligjit për Specialen ka qenë në qendër të zhvillimeve politike gjatë ditëve të fundit.
Nisma e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara synon ngushtimin e mandatit dhe juridiksionit të Speciales, duke kufizuar periudhën kohore nga 1 korrik 1999 deri më 31 dhjetor 2000 dhe territorin vetëm në veprat e kryera në Kosovë.
Ajo parasheh gjithashtu kufizimin e veprave penale që mund të trajtohen nga Specialja, dënimin maksimal deri në 15 vjet burgim, vuajtjen e dënimeve në Kosovë dhe mundësinë e faljes presidenciale.
Sipas nismës, rastet që nuk do të hynin më në juridiksionin e Speciales do të transferoheshin te sistemi gjyqësor i Kosovës, bashkë me dosjet dhe provat, ndërsa parashihet edhe mundësia e ankesës në Gjykatën Supreme dhe rishqyrtimi i juridiksionit të rasteve ekzistuese brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e ndryshimeve. /Telegrafi/
