Të paktën 176 persona kanë humbur jetën pasi një aeroplan u përplas derisa tentoi të ulej në aeroportin në Muan të Koresë së Jugut, raporton “BBC”.
Aeroplani Boeing 737-800 i kompanisë ajrore “Jeju Air” kishte 181 pasagjerë në bord, ndërsa ishte nisur nga Bangkoku i Tajlandës.
Dy pjesëtarë të ekuipazhit raportohet se kanë mbijetuar, ndërsa forcat e emergjencës po i vazhdojnë kërkimet.
Nuk janë bërë të ditura shkaqet e aksidentit, por shërbimi i zjarrfikësve beson se bëhet fjalë për një përplasje me zogj dhe mot të ligë.
Aeroplani kishte dal nga pista pasi tentoi të ulej dhe u përplas në një mur rrethues, duke shpërthyer në zjarr.
Është aksidenti një nga aksidentetet më të rënda ajrore në histori të Koresë së Jugut. Aksidenti më i rëndë ajror brenda territorit të Koresë së Jugut, ishte regjistruar në vitin 2002 kur aeroplani i Air China u rrëzua, si pasojë e të cilit vdiqën 129 persona.
Ushtruesi i detyrës së presidentit të Koresë së Jugut, Choi Sang-mok, ka vendosur të vë në dispozicion fonde qeveritare për qeverinë lokale të Muanit.
E shefat e kompanisë ajrore “Jeju Air” janë paraqitur kokëulur duke kërkuar falje për aksidentin.
Është aksidenti i dytë ajror brenda pak ditëve. Në mesjavë një aeroplan i Azerbaijan Airlines u rrëzua derisa tentoi të ulej në Kazakistan, ndërsa 38 persona vdiqën. /BBC