Ministri i Brendshëm Taulant Balla vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional, si dhe shoqërinë civile lidhur me luftën ndaj radikalizmit e ekstremizmit në Shqipëri, si dhe rehabilitimin dhe ri-integrimin e këtyre personave të riatdhesuar nga zonat e konfliktit.
Gjatë prezantimit të mekanizmit kombëtar të referimit kundër ekstremizmit, ministri Balla tha se vendi ynë ka praktikat më të mira në rajon për luftën ndaj ekstremizmit dhe rehabilitimin e viktimave. Ai shtoi se të gjitha institucionet po punojnë për krijimin e një strategjie edhe më të fortë kundër radikalizmit.
Sipas tij, Shqipëria është një model suksesi në luftën kundër ekstremizimit të dhunshëm dhe radikalizmit.
“Prandaj, në luftën tonë kundër këtyre sfidave madhore të kohëve moderne, ne promovojmë një qasje gjithëpërfshirëse dhe ndërinstitucionale, duke mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”.
që nga krijimi i Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (Qendrës CVE), sipas Ballës, numërohen rreth 15 mijë specialistë të vijës së parë, që janë pjesë e Rrjetit të sigurisë së P/CVE, me kontribut aktiv në identifikimin, sinjalizimin dhe adresimin e rasteve të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në rang vendi dhe në mjedisin online.
“Prej vitit 2018 e në vazhdim, Shqipëria i ka shtuar çdo vit e më tepër përpjekjet për kundërshtimin dhe luftimin e ekstremizmit te dhunshëm. Institucionet shtetërore, qoftë në nivel qendror, qoftë në atë vendor, qoftë me partnerët ndërkombëtarë, qoftë me ata kombëtarë, për monitorimin dhe zbatimin në të njëjtën kohë të Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftës kundër terrorizmit gjatë kësaj periudhe pra 2023-2025, përfshirë këtu dhe planin tonë të veprimit për zbatimin e masave të përbashkëta të planit rajonal për luftën kundër terrorizmit në Ballkanin Perëndimor, po për të njëjtën periudhë kohore”.
Gjatë këtyre viteve, sipas tij është bërë e mundur ngritja e mekanizmave efikasë në nivel lokal.
“Nga ana tjetër është bërë i mundur bashkëpunimi me 61 Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike si një mekanizëm i mirëfilltë efikas referimi për sinjalizimin dhe trajtimin e rasteve të ekstremizmit të dhunshëm në nivel vendor”.
“Është me vend të theksojmë sot se që prej rikthimit të parë të shtetasve nga zonat e konfliktit, nga Siria apo Iraku në vitin 2020, modeli i ndjekur nga ne, bashkëpunimi ndërinstitucional, profilizimi i aktorëve të vijës së parë dhe mbështetja e ofruar në rehabilitimin dhe ri-integrimin e çdo familjeje dhe individi të kthyer nga zonat e konfliktit, e ka rreshtuar Shqipërinë tonë në praktikën më të mirë në rajon dhe ndoshta dhe më shumë sesa rajoni”. /Albanianpost.com