Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar me vendosjen e tarifave 50% ndaj mallrave evropiane. Kjo ka nxitur reagime në Evropë, përfshirë edhe Gjermaninë, një nga shtetet me ekonominë më të fuqishme të bllokut.
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, ka kritikuar ashpër këtë kërcënim, duke paralajmëruar për pasoja të rënda në të dyja anët e Atlantikut.
“Mendoj se tarifa të tilla nuk i sjellin dobi askujt, por vetëm do të çonin në vuajtje zhvillimin ekonomik në të dyja tregjet. Kështu që ne ende mbështetemi te negociatat, dhe mbështesim Komisionin Evropian në mbrojtjen e Evropës dhe tregut evropian, duke punuar njëkohësisht për të bindur Amerikën për negociata”, tha Wadephul në një konferencë për media të premten në Berlin.
Deklarata e tij vjen pas postimit të presidentit Trump në platformën e tij Truth Social, ku ai paralajmëroi se nga muaji i ardhshëm mund të vendosë tarifa doganore prej 50% për produktet e BE-së. Trump kritikoi bisedimet me Brukselin, duke thënë se “po shkojnë askund”, dhe akuzoi Bashkimin Evropian si një strukturë të krijuar për të “shfrytëzuar SHBA-në”.
Ndërkohë që SHBA ka arritur marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar dhe Kinën për të zbutur ndikimin e luftës tregtare, kërcënimi i fundit ndaj BE-së rrezikon të sjellë masa hakmarrëse nga Brukseli. /GazetaSinjali/