Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se është shumë e rëndësishme që diskutimet për formimin e Asociacionit të shkojnë përpara.
Duke rishpërndarë deklaratën e zyrtarit amerikan, Derek Chollet për këtë çështje, ambasadori Rohde ka thënë se pajtohet plotësisht.
“Jam plotësisht dakord: është shumë e rëndësishme të çojmë përpara diskutimin për Asociacionin. Është mirë të dëgjosh se ministri i Kosovës, Nenad Rashiq ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në diskutimin e planifikuar për Asociacionin më 31 janar në Ambasadën amerikane në Prishtinë”, ka shkruar Rohde.
Zyrtari amerikan Derek Chollet ka biseduar përmes telefonit me Kurtin, të cilit i ka kërkuar të pranojë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne diskutuam gjithashtu për rëndësinë e karakterit multietnik të Kosovës dhe ecjen përpara me diskutimet për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe në kontekstin e Dialogut me Serbinë dhe nevojën që serbët e Kosovës të kthehen në institucione”, ka deklaruar Chollet.
Ambasada amerikane në Prishtinë ka bërë të ditur se më 31 janar do të jetë nikoqire e një diskutimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ambasada ka njoftuar se në këtë takim janë ftuar një grup divers i liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve.
Ambasada ka thënë se synim i saj është “të avancojë mirëkuptimin e ndërsjellë për përkushtimin ndaj Asociacionit, në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga BE-ja”.
/Telegrafi/