Takimi i thirrur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për shefat e partive më të mëdha në Kosovë, në të cilin i shkoi vetëm kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka përfunduar të martën mbrëma me qëndrime të ndryshme për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kurti pas takimit ka deklaruar se temë ishin 13 marrëveshjet ndërkombëtare për t’u votuar në Kuvend. Për këtë çështje tha se duhen 2/3 e votave të deputetëve.
“Neve na duhet mbështetja e opozitës apo më mirë të themi bashkëpunimi sepse konsiderojmë se është çështje e interesit të përgjithshëm”, ka thënë Kurti.
Ai ka konfirmuar se kanë folur edhe për kohën e zgjedhjeve. Ka shtuar se zgjedhjet e ardhshme nuk janë çështje ditësh.
“Nuk mund të themi se zgjedhjet e ardhshme janë çështje të ditëve por të muajve, andaj duhet të diskutojmë me PDK-në, LDK-në e AAK-në, se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme. E di që në përgjithësi është pranvera ose vjeshta, por kjo nuk do të thotë që s’mund të mbahen në pranverë ose në vjeshtë. Nëse shkon mandati deri në fund i bie që zgjedhjet të mbahen dimrit andaj le ta diskutojmë a është më mirë t’i mbajmë në pranverë ose vjeshtë. Duhet ta diskutojmë a është më mirë në pranverë apo vjeshtë por unë nuk dua ta imponojë vullnetin tim. Le ta bëjmë debatin në fushatën zgjedhore. Duhet të diskutojmë dhe ta shohim se cila është data për të cilën pajtohemi më së shumti”, ka thënë Kurti.
“Unë i kam ftuar të gjitha partitë sonte. Do të insistojë të takohem edhe me të tjerët”, ka thënë kryeministri.
Ai është pyetur edhe për shpërndarjen e mundshme të Kuvendit. Ka thënë se pushteti nuk i ka numrat.
“Për shpërndarjen e Kuvendit nevojiten 80 vota, Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka, por unë nuk do të preferoja që të shpërndahet Kuvendi me dy parti, mbase edhe tri parti. Pse të mos jemi që të gjithë bashkë. Është në natyrën e opozitës që të kërkojë zgjedhje ndërkohë që unë jam në vitin e fundit të mandatit dhe qeverisja ime në këtë mandat nuk do të zgjasë edhe më shumë se disa muaj”, ka thënë ai.
Qëndrimi i PDK-së
I pari që është deklaruar për mediat ishte kryetari i PDK-së.
“Unë i kam përgjigjur ftesës së kryeministrit Kurti për ta takuar në një darkë pune sepse konsideroj se është shumë e rëndësishme që t’ia shprehi qëndrimet e mia dhe të Partisë Demokratike të Kosovës drejtpërdrejt dhe qartë sesa ku do të takohemi dhe në çfarë formati që është zgjedhja e tij. Ajo që mund të them është evidente se unë dhe Kurti kemi lexime të ndryshme të situatës dhe ndonjëherë edhe preokupimet e qytetarëve nuk janë preokupimet e kryeministrit të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
“Kosova është në agoni, kemi ngritje të çmimeve, paga dhe pensione që nuk u mjaftojnë familjeve kosovare ta lidhin muajin me muaj. Kemi shëndetësi në gjendje të rendë, arsim të degraduar, politikë të jashtme inekzistente dhe për më shumë një parlament jofunksional, nga java në javë barten pikat pa u kalu. Kemi edhe një situatë të vështirë për anëtarësimin e Kosovës në KiE që nuk ka asnjë siguri që kjo do të ndodhë, përkundrazi duket që do të jetë një dështim.
“Kryeministrit Kurti ia shpreha këtë qëndrim. Jemi të gatshëm që të gjejmë dakordësim për një datë të re të zgjedhjeve. Unë kam punuar për këtë cështje pa dëshiruar ta marrë flamurin e protagonizmit. Zgjedhjet janë nevojë. Këto ishin thelbi i diskutimi të sotëm”, ka shtuar Krasniqi./Reporteri.net/