Kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka folur rreth mbajtjes së liturgjisë fetare në Kishën brenda kampusit universitar të Universitetit të Prishtinës.
Tahiri ka dhënë arsyet se pse sipas tij nuk duhet lejuar aktivitete të tilla dhe njëkohësisht ka kritikuar institucionet e vendit për lejimin e mbajtjes së asaj liturgjie.
“Absolutisht nuk u dashtë me u mbajt. Çka kish ndodh me Kosovën nëse kish ndodh një sulm aty, me ardh dikush e me gjuajt një guri”, tha ai në T7.
Sipas Tahirit, qëllimi i Serbisë është zbatimi i Asociacionit dhe rritja e fuqisë së kishës në Kosovë.
“Nuk është objekt fetar por politik që e ka ndërtuar okupatori me para të Arkanit. Nuk duhet lejuar politizimi”, theksoi Tahiri.
Kujtojmë se me datën 10 qershor të këtij viti për herë të parë që nga viti 1998 është mbajtur një shërbesë brenda kësaj kishe nga peshkopi Teodosije i Dioçezës së Rashkës dhe Prizrenit së bashku me peshkopë dhe besimtarë të tjerë. /GazetaSinjali