Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi sot, gjatë punimeve të sesionit të 19-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, BE-Shqipëri që po mbahet në Strasburg, se Shqipëria ka nevojë për reforma të thella dhe të vërteta për të mundësuar integrimin evropian të vendit.
Në fjalën e saj, Tabaku theksoi se qeveria shqiptare nuk ka treguar vullnet të mjaftueshëm për të ndërmarrë reforma në sektorë të ndryshëm, duke veçuar si shqetësim kryesor mungesën e transparencës në procesin e prokurimit publik.
“Ligji “Për prokurimin publik” nuk është rishikuar ende në përputhje me standardet evropiane. Opozita ka propozuar një paketë ligjore për ta përafruar atë me standardet më të mira, por ajo është refuzuar nga qeveria”, tha Tabaku.
Sipas saj, tenderat publikë nuk realizohen përmes një konkurrence të hapur dhe transparente, duke lënë hapësira për abuzime dhe duke rritur kostot.
Ajo ngriti shqetësimin për faktin që një përqindje e madhe e kontratave, të paktën 85%, jepen me 99% të vlerës së parashikuar, gjë që sipas saj, është tregues i mungesës së konkurrencës reale dhe i rritjes së kostove për shtetin.
Deputetja Tabaku përmendi gjithashtu përqendrimin e kontratave publike në pak biznese dhe mungesën e konkurrencës ndërkombëtare, duke përmendur raste konkrete si kontratat për Aeroportin e Vlorës dhe Portin e Durrësit, të cilat sipas saj, janë dhënë në shkelje të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
“Kemi shumë biznese evropiane që janë lënë jashtë garës. Shqipëria duhet të respektojë detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, veçanërisht ato që lidhen me kapitullin 5”, u shpreh ajo.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej saj ishte ai me fondet IPARD të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ku sipas Tabakut, është zbuluar një skemë korruptive që detyroi Komisionin Evropian të pezullojë 160 milionë euro.
“Kjo ngre një pikëpyetje serioze për decentralizimin dhe vetmenaxhimin e fondeve të BE-së në Shqipëri”, tha ajo.
Në përfundim të fjalës së saj, Tabaku theksoi se për të ecur përpara në rrugën e integrimit, Shqipëria ka nevojë për reforma të prekshme dhe jo vetëm në letër, për rikthimin e transparencës, forcimin e institucioneve dhe ndarjen e shtetit nga interesat private në kontratat publike.
“Gjatë viteve kemi parë shumë komisione që u krijuan për të nisur “reforma”, por realiteti është se nuk ka transparencë, nuk ka progres dhe sistemi i drejtësisë po përpiqet të monopolizohet. Shqipëria ka nevojë për një luftë të vërtetë kundër korrupsionit dhe rezultate konkrete”, përfundoi Tabaku. /ATSH/