Trajneri i përfaqësueses shqiptare të futbollit, Sylvinho, gjatë konferencës për media përpara ndeshjes me Poloninë, e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024, tregoi se ka shpresë për fitore me grupin e lojtarëve të mbledhur, por e cilësoi se kjo nuk është ndeshja vendimtare për kualifikim
Përpara gazetarëve, ai reflektoi se në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka. Me rëndësi gjithsesi është që kuqezinjtë të luajnë me shpirt e zemër për të arritur rezultatin maksimal.
“Do të luajmë përpara 20 mijë tifozëve. Do të jetë e vështirë, na pret një ndeshje aspak e thjeshtë. Pres që skuadra të ketë sjelljen e duhur në fushë. Me mbështetjen e popullit shqiptar, unë mendoj se do të bëjmë diçka të madhe gjatë 90 minutave”, tregoi ai.
Futbollistët në fushë do të zbresin për fitore sipas Sylvinhos, por nuk duhet harruar se edhe kundërshtarët, kanë të njëjtin objektiv, duke iu referuar edhe pozitave në grup.
Përgatitja, pavarësisht gjithçkaje, ka qenë optimale dhe ai është i kënaqur me lojtarët e ekipit.
Punë ka ende shumë për të bërë, me gjysmën e ndeshjeve në grup të mbetura dhe të gjitha, ai i ka vlerësuar njëlloj për nga vështirësia.
Sa i takon lojtarëve, Sylvinho u pyet posaçërisht edhe për Ernest Muçin, i cili aktivizohet në Poloni me Legian e Varshavës.
“Muçi? Lojtar i fortë dhe shumë i mirë. Jemi të kënaqur prej tij. Është një futbollist i talentuar, i cili shënon. Është në formë shumë të mirë. Kemi edhe Bajramin në formë, i cili po bën shumë mirë. Kemi 24 futbollistë, të gjithë janë shumë të rëndësishëm të gjithë”, shtoi Sylvinho.
Rreth kundërshtarëve, veçoi Lewandowskin, për të cilin tha se është një futbollist i nivelit të lartë, por i cili mbështetet edhe te shokët e ekipit, të cilët po ashtu janë shumë të fortë.
“Polonia? Një skuadër me histori të madhe. Pikat e dobëta të tyre? Nuk i tregoj dot… Ata kanë lojtarë të shkëlqyer dhe një trajner me eksperiencë, kaq mund të them. Historia është pika e fortë e Polonisë”, e përmbylli ai konferencën.
/albanianpost/