Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Jashtme është duke punuar që ish-zyrtari i Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, të lirohet sa më parë, pas arrestimit nga autoritetet serb.
“MPJ është duke u angazhuar që ky qytetar i Republikës së Kosovës të lirohet sa më shpejt dhe këso rastesh të mos ndodhin më”, tha Sveçla, në një prononcim të shkurtër, para fillimit të përpjekjes së 30-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Sveçla ndër të tjera ka bërë të ditur se ish-zyrtari policor i ndaluar në Serbi nuk ka qenë i angazhuar në Policinë e Kosovës në vitin 2023.
Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, të cilit, të hënën, iu shqiptua masa e paraburgimit në Serbi, dyshohet për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”.
Një gjë e tillë është konfirmuar për Radio Evropën e Lirë nga Gjykata e Lartë në Suboticë.
Spahiu dyshohet se ka kryer këtë vepër në Banjskë të Komunës së Zveçanit, ku një grup paramilitar nga Serbia sulmoi Policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në përleshjet me armë që kanë pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Me ligjin në Serbi, “vrasja e rëndë” dënohet me një dënim minimal prej dhjetë vjetësh burg ose me burgim të përjetshëm.
Spahiu është ndaluar nga autoritetet serbe në pikën kufitare mes Hungarisë dhe Serbisë. /Albanianpost.com