Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, tha se partia e tij është kundër një qeveri tranzitore.
I pyetur nga gazetarët teksa po hynte në ndërtesën e Kuvendit për seancën konstituive nëse Vetëvendosje është për një qeveri tranzitore, Sveçla u përgjigj shkurt: “Absolutisht jo”.
Sa për t’jua kujtuar, qeveri tranzitore deri në prill të vitit 2026 propozoi një ditë më parë lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
LDK ka dhënë propozimin për Qeveri të tranzicionit dje, teksa është shprehur e gatshme që ta drejtojë këtë proces konsultativ, siç ka thënë, për të zgjidhur krizën aktuale dhe garantuar stabilitetin kombëtar në vend.
“Qeveria Nacionale e Tranzicionit, e formuar nga të gjitha partitë shqiptare dhe, në përputhje me dispozitat kushtetuese, edhe nga përfaqësues të partive të komuniteteve joshumicë, do të ketë afat të caktuar (deri në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri), qëllime të qarta politike dhe ekzekutive, program dhe agjendë ekzekutive të dakorduar, si dhe kryeministër dhe kabinet përfaqësues dhe unifikues.”, thuhet në letër.
Deri tani vetëm Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, e ka pranuar ftesën për një takim të tillë.
Ai i PDK’së, Memli Krasniqi, ka thënë se është informuar për propozimin e LDK’së dhe se do të diskutojnë e vendosin sot në Kryesi.
”Qëndrimet tona lidhur me situatën e krijuar janë të qarta dhe konsistente. Ne kemi theksuar vazhdimisht se vendi nuk mund të mbetet peng i interesave të ngushta politike dhe se bllokada institucionale është pasojë direkte e qasjes së papërgjegjshme dhe imponuese të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila po insiston me çdo kusht ta mbajë vendin në krizë. Sa i përket propozimit të LDK-së, jam i informuar tashmë. Gjithsesi, vendimet e rëndësishme ne i marrim në organet e partisë, andaj nesër, në mbledhjen e rregullt të Kryesisë do të diskutojmë për të gjitha zhvillimet politike dhe për hapat e mëtejshëm”, ka deklaruar Krasniqi për Reporteri.net.
Nga Lëvizja Vetëvendosje e kanë cilësuar si të papranueshëm këtë propozim, teksa deputetë të kësaj partie janë lëshuar në sulme ndaj LDK’së./Reporteri.net