Sveçla e shpall të mbyllur kapitullin e institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë

Pas përfundimit të aksionit të Policisë së Kosovës në disa komuna të Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se e mërkura e 15 janarit shënon edhe mbylljen e kapitullit të “institucioneve paralele ilegale kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës”

Të mërkurën në orët e para të mëngjesit, Policia e Kosovës, ka zhvilluar një askion ku janë mbyllur komunat paralele serbe në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale.

“Me aksion të përbashkët mes MPB e PK si dhe MINT e MAPL, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës”, shkroi Sveçla në platformën sociale, Facebook.

“Sot janë mbyllur Komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale”, njoftoi ai.

Sveçla në fund ka thënë se Qeveria aktuale e Kosovës po e mban zotimin, duke mos lejuar “asnjë paralelizëm e aq më tepër kriminal të Serbisë që të cenojë Kushtetutën e ligjshmërinë në vendin tonë”.

Gjatë vitit 2024, Policia e Kosovës në disa raste ka mbyllur institucione të strukturave paralele të Serbisë, të cilët funksionojnë me sistemin e Serbisë – ku fillimisht u mbyllën organet e përkohshme komunale të Dragashit, Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit.

Më pastaj u mbyllën organet e përkohshme komunale të Pejës, Istogut, Klinës, Skenderajt, si dhe ato në komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Ndërkohë u mbyllën edhe degët e Postës së Serbisë në Veri të Kosovës, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, e ashtuquajtura Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ Kosovë-Mitrovicë dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri.

Policia e Kosovës më 8 janar mbylli edhe Administratën Tatimore në Mitrovicën e Veriut, e cila funksiononte në kuadër të sistemit të Serbisë, për shkak të “aktiviteteve të paligjshme”, si dhe kompaninë e sigurimeve nga Serbia – Dunav Osiguranje, për shkak të dyshimeve se punonte pa licencë./Albanianpost.com

Read Previous

Detajet që dihen për “marrëveshjen fillestare” të armëpushimit në Gaza

Read Next

Maqedonci e kongrsmeni Hamadeh flasin për arritjet e ushtrisë së Kosovës