Ministri Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë sot se çdo ditë kanë dëshmuar me fakte të patjetërsueshme lidhjen e shtetit serb dhe presidentit Aleksandër Vuçiq me sulmin terrorist në fshatin Banjksë të Zveçanit.
Ky organizim terrorist sipas ministrit Sveçla, kishte vetëm një qëllim, aneksimin e veriut të Republikës së Kosovës.
Ministri Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha në një konferencë të përbashkët për media në Mitrovicë kanë prezantuar video dhe fotografi të siguruara nga dronët e grupit terrorist të cilët u konfiskuan nga policia.
Ministri Sveçla ka deklaruar po ashtu se edhe dje dhe sot kanë gjetur sasi tjera të armatimit në zonën ku vazhdon operacioni, në veri.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha theksoi se Qendra e grupit terrorist ka qenë Kopauniku, përkatësisht hapësira që është pronë e Milan Radoiçiqit.
Në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit, e diel, është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë nga një sulm terroristësh serbë në Banjskë të Zveçanit./KP/