Aleksandër Rhotert, politikolog gjerman dhe njohës i historisë politike të Ballkanit Perëndimor, në një artikull të botuar në rrjetin gjerman të lajmeve “Deutsche Welle“, ka shkruar mbi rrjedhën e tensionuar në raportet Kosovë-Serbi, posaçërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.
Ai ka argumentuar se sulmi i fundit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur rëndë të kujton skenarët që Serbia kishte përdorur për fillimin e luftërave në ish-Jugosllavi në vitin 1991. Sëkëndejmi, analisti gjerman ka theksuar se Perëndimi duhet të parandalojë një shpërthim të ri në rajon.
“Pamjet që vijnë nga rajoni këto ditë janë tmerrësisht të ngjashme me ato nga Kroacia në verën e vitit 1990, kur paramilitarët serbë u zunë pritë oficerëve të policisë kroate. Ato sulme filluan vetëm disa muaj përpara fillimit të luftës në qershor 1991. Një vit më vonë, në mars 1992, ishin përsëri paramilitarët serbë ata që e shkëputën Sarajevën nga bota e jashtme”.
Tridhjetë vjet pas luftërave jugosllave, ka argumentuar Rhotert në artikullin e tij, regjimi në Beograd aktualisht përbëhet nga tre njerëz që haptazi kërkojnë të realizojnë projektin e ish-udhëheqësit fashist të Serbisë Sllobodan Millosheviç për realizimin e projektit nacionalist e fashist të serbëve rreth të ashtuquajturës “Serbia e Madhe”.
Ai ka arguementuar se kjo ide e inicuar nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç, së bashku me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, kryediplomatin serb Ivica Daçiç dhe kryespiunin e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Aleksandër Vulin, paraqet një kërcënim të qartë për vendet fqinje, sepse sipas tij, janë më të dobëta ushtarakisht.
Duke iu referuar çështjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ai ka kujtuar se pakicat kombëtare mbrohen me Kushtetutën e Kosovës dhe përpos votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e komunitetit serb, është një lloj vetoje, ata kanë dhjetë vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës dhe po ashtu përfaqësohen edhe në nivelin qendror.
“Nuk është për t’u habitur që Prishtina refuzon të zbatojë marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 të një asociacioni serb të komunave (Zajednica) që ofron një shkallë të lartë të autonomisë për 10 komunat me shumicë serbe të Kosovës. Por duhet përmendur se Kushtetuta e Kosovës garanton të drejta të gjera të pakicave”, ka shkruar Rhotert.
Në dritën e ngritjes së tensioneve në kufrin mes Kosovës dhe Serbisë, analisi gjerman ndër të tjera ka theksuar se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe Misioni i Bashkimit Evropian (BE) në Bosnje-Hercegovinë (EUFOR), duhet të rrisin prezencën e tyre për të shmangur shpërthimin e luftës dhe të pengojë agresionin potencial të Serbisë.
“Edhe pse mund të jetë e shtrenjtë, sigurimi i paqes me disa njësi shtesë do të jetë gjithmonë një alternativë më e mirë sesa të detyrohesh të hedhësh bomba (1999). Është e vështirë të imagjinohet një skenar më i lirë i shmangies së konfliktit që do të mbronte më mirë jetët njerëzore”. /Albanianpost.com