Sulmi ndaj kanalit të ujit, Osmani takon ambasadorët e vendeve të QUINT’it dhe atë të BE’së

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të QUINT’it dhe ambasadorin e BE’së, për të diskutuar lidhur me sulmin e mbrëmshëm në kanalin e ujit në Zubin Potok, që ajo e ka cilësuar si sulm terrorist.

Në njoftimin e lëshuar nga Presidenca thuhet se Osmani ka potencuar para ambasadorëve “cenimin që i është bërë sigurisë kombëtare të Kosovës përmes sulmeve në infrastrukturën vitale”.

“Në takim u diskutua për reagimin e institucioneve përgjegjëse karshi kësaj situate, me ç’rast si Presidentja Osmani, sikurse edhe ambasadorët kanë bërë vlerësimin më të lartë  për menaxhimin dhe punën e bërë. Në të njëjtën kohë, Presidentja Osmani theksoi sulmet sikurse ky i fundit synojnë jo vetëm destabilizimin e Kosovës, por paraqesin rrezik serioz për stabilitetin e gjithë rajonit”, thuhet në njoftim.

Ajo i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta dënojë këë sulm dhe të qëndrojë e bashkuar kundër çdo përpjekjeje për të minuar paqen dhe sigurinë në Kosovë.

“Po ashtu, ajo ritheksoi se parandalimi i sulmeve të tilla në të ardhmen duhet të jetë fokusi kryesor. Në vazhdim të ditës, Presidentja do t’i takojë edhe institucionet e sigurisë në vend”, thuhet në fund të njoftimit.

Ndryshe, mbrëmë në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, në veri të vendit, ka ndodhur një shpërthim që ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, i cili furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Autoritetet e kanë cilësuar si sulm terrorist dhe kanë akuzuar Serbinë./gazetaexpress/

Read Previous

Hamza viziton rezervuarët e ujësjellsit “Mitrovica” pas incidentit në veri

Read Next

KEK-u thotë se furnizimi me energjinë elektrike është stabil