Stuttgart, mundësi konkrete për të ardhmen e Armando Brojës

Numërimi mbrapsht ka nisur. Janë ditë, nëse jo orë, vendimtare për të ardhmen e Armando Brojës. Shanset që sulmuesi shqiptar të qëndrojë te Çelsi janë shuar përfundimisht pas vendimit të trajnerit Enzo Mareska për ta përjashtuar nga skuadra që do të nisë sezonin e ri të Premier Ligës në fundjavë.

Bashkë me Romelu Lukaku, Broja po stërvitet me ekipin U21, në pritje për t’u larguar përfundimisht nga Blutë e Londrës. Opsionet janë të shumta, dhe një listë e gjatë skuadrash kanë shprehur interes për futbollistin 22-vjeçar.

Një pistë e rëndësishme ka marrë shumë kuota ditët e fundit. Në Gjermani janë të sigurt se sulmuesi i kombëtares kuqezi do të transferohet te Stuttgart. Sipas raportimeve të “Sky Sport”, nënkampionët e Bundesligës kërkojnë të huazojnë Armando Brojën, ndërsa vetë futbollisti është i gatshëm të pranojë këtë aventurë të re.

Megjithatë, oferta e klubit gjerman mbetet një problem, pasi ata preferojnë një huazim me të drejtë blerje në fund të sezonit. Në ndryshim, Çelsi kërkon të shesë menjëherë sulmuesin dhe e vlerëson kartonin e tij deri në 25 milion euro.

Interesim për shërbimet e Brojës kanë shfaqur edhe klube të tjera në Premier Ligë dhe Serinë A, por oferta e Stuttgart është më konkrete. Për këtë arsye, duke u mbështetur edhe në sigurinë e mediave gjermane, Armando Broja pritet të nisë shumë shpejt një aventurë të re në karrierën e tij, që ende pret të kapë kulmin. /abcnews.al

Read Previous

Më shumë se 40,000 të vrarë në Gaza që nga 7 tetori

Read Next

Rusia thotë se forcat e saj po përparojnë drejt qytetit kyç në Ukrainë