Studentët vijojnë protestën para Kryeministrisë në Tiranë

Protestës së studentëve në ditën e 11-të të saj i janë bashkuar edhe sot pedagogë të universiteteve si dhe qytetarë.

Pedagogë e studentë u mblodhën fillimisht para Universitetit Politeknik të Tiranës, nga ku kryetari i Sindikatës së Pedagogëve, Aleksandër Kovaçi tha për mediet se “është një ndërgjegjësim ndërkombëtar që ndodh me intelektualët e Shqipërisë. Duhet të jemi më të bashkëpunuar për këtë kauzë kaq të fortë”.

“Ne jemi sindikata e universiteteve, jemi të përqendruar te studentët dhe jemi këtu. Të marrë fund diktati në universitete. Ne do t’i bashkangjitemi protestës së studentëve. Aty ku janë ata do të jemi edhe ne”, tha Kovaçi.

Protestës së sotme para godinës së qeverisë i janë bashkuar edhe një grup  studentësh të mjekësisë të veshur me uniformat e bardha dhe me maska kirurgjikale.

“Bashkohuni me ne”, “Studentët e bashkuar kanë për të fituar” janë thirrjet e të rinjve, ndërsa ecin nëpër rrugët e Tiranës.

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve vijon mbështetjen ndaj studentëve, të cilët po protestojnë prej 11 ditësh në Tiranë kundër klasës politike dhe për kushte më të mira arsimimi dhe jetese. /RTKlive/ATSH/

Read Previous

Prokurori i Shtetit: 35 aktakuza ndaj 41 personave dhe 6 ndalime brenda 24 orëve

Read Next

​Probleme teknike në Kosovën B, KEK-u paralajmëron ndaljen e njësisë B2