Rama përsërit ftesën për dialog me studentët: Jam gati në çdo orë

Kryeministri i Shqipërsië, Edi Rama ka përsëritur thirrjen për dialog me studentët që prej 11 ditësh vijojnë protestat, duke kërkuar dorëheqjen e tij. Përmes një akti simbolik para Kryeministrisë, ku u vendosën blloqe betoni me mbishkrimin “Dialog”, kreu i qeverisë theksoi se mbetet i hapur për bisedime me studentët, në çdo kohë dhe në çdo vend.

Rama deklaroi se dialogu dhe përballja demokratike e ideve janë rruga e duhur për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, pavarësisht dallimeve në qëndrime.

“Jam i gatshëm kudoqoftë, në çdo vend, në çdo orë me ata që besojnë se Shqipëria duhet bërë më e mirë”, u shpreh kryeministri, duke nënvizuar rëndësinë e mirëkuptimit dhe komunikimit.

Megjithatë, ai paralajmëroi se çdo veprim që shkel ligjin do të ndiqet sipas përgjegjësisë përkatëse. Rama akuzoi disa persona se po përpiqen të shfrytëzojnë protestën studentore për interesa të tjera politike dhe dënoi përdorimin e dhunës gjatë tubimeve.

“Kush e mori peng kryeqytetin duhet ta dijë se do të përgjigjet. Do të përgjigjet ligjërisht, penalisht”, deklaroi Rama, duke theksuar se pasojat do të varen nga shkalla e shkeljeve të kryera.

Kreu i qeverisë shtoi se vullneti i një komuniteti nuk mund të imponohet përmes dhunës dhe se përplasjet nuk duhet të përcaktojnë drejtimin politik të vendit.

Në përfundim, Rama u shpreh i bindur se Shqipëria do të vijojë rrugën drejt integrimit europian, pavarësisht tensioneve dhe kundërshtive politike.

“Shqipëria do të jetë pjesë e BE-së”, theksoi kryeministri, duke përsëritur angazhimin e qeverisë për vazhdimin e procesit të integrimit europian. /RTKlive

Read Previous

“Liverpooli do të sfidojë për titullin e Premier Ligës”

Read Next

Prokurori i Shtetit: 35 aktakuza ndaj 41 personave dhe 6 ndalime brenda 24 orëve