Këto ndryshime do të hyjnë në fuqi më 1 nëntor në Zvicër

Një sërë ndryshimesh ligjore do të hyjnë në fuqi në Zvicër më 1 nëntor, duke përfshirë rregullat për transferimin e të dhënave personale të pasagjerëve ajrorë, përpunimin e të dhënave në kuadër të Sistemit të Informacionit Shengen, modernizimin e dokumenteve të identitetit dhe një regjim të ri për luftimin e diarresë virale të gjedhit (BVD).

Siguria e fluturimeve

Me hyrjen në fuqi të Urdhëresës për të Dhënat e Pasagjerëve Ajrorë më 1 nëntor, linjat ajrore në Zvicër do të detyrohen që, nga shkurti i vitit 2027, të transmetojnë të dhëna të detajuara të pasagjerëve te Njësia e Informacionit të Pasagjerëve (PIU), e cila funksionon në kuadër të Zyrës Federale të Policisë (Fedpol), raporton Watson.

Urdhëresa e re përcakton formatet dhe afatet e transmetimit të këtyre të dhënave, me qëllim të luftimit më efektiv të terrorizmit dhe krimeve të rënda.

Pasagjerët do të informohen për mbledhjen e të dhënave para rezervimit të biletave. Kjo masë konkretizon Aktin për të Dhënat e Pasagjerëve Ajrorë, të miratuar nga Parlamenti, dhe synon të rrisë sigurinë në trafikun ajror, duke garantuar njëkohësisht respektimin e rregullave për mbrojtjen e të dhënave.

Rregulla të reja për sistemin Shengen

Një rregullore e re, që hyn në fuqi më 1 nëntor, përcakton më hollësisht funksionimin e komponentit kombëtar të Sistemit të Informacionit Shengen (N-SIS) dhe përgjegjësitë e zyrës SIRENE në Zvicër.

SIRENE, e vendosur në Zyrën Federale të Policisë (Fedpol), shërben si pikë kombëtare e kontaktit dhe koordinimit për Sistemin e Informacionit Shengen (SIS).

Rregullorja përcakton mënyrën se si autoritetet zvicerane i menaxhojnë dhe i shkëmbejnë të dhënat personale në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor.

Qëllimi është forcimi i sigurisë së brendshme dhe rritja e efikasitetit të kontrolleve kufitare përmes standardizimit të përpunimit të të dhënave. Ndryshimet synojnë gjithashtu zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare të Shengenit dhe lehtësimin e bashkëpunimit me shtetet e tjera anëtare në luftën kundër krimit.

Modernizohen dokumentet e identitetit zviceran

Nga 1 nëntori, Zvicra do të zbatojë ndryshime në rregulloret për dokumentet e identitetit, tramsmeton Telegrafi.

Pasaporta e përkohshme do të riemërtohet pasaportë emergjente, me qëllim të ofrimit të një emërtimi më të qartë. Ndërkohë, kartat e identitetit do të përcaktohen shprehimisht në dy versione: me çip dhe pa çip të të dhënave.

Rregullat për mbledhjen e të dhënave biometrike, përfshirë gjurmët e gishtërinjve për pasaportat dhe kartat e identitetit me çip, do të përcaktohen më saktë, duke marrë parasysh edhe standardet ndërkombëtare.

Gjithashtu, janë rishikuar tarifat për llojet e ndryshme të dokumenteve, për të reflektuar rritjen e kostove administrative dhe risitë teknike.

Ndryshimet prekin të gjithë shtetasit zviceranë që aplikojnë për pasaportë ose kartë të re identiteti.

Ndryshon regjimi për luftimin e diarresë virale të gjedhit

Nga 1 nëntori, në fermat zvicerane të bagëtive do të hyjë në fuqi një regjim i ri për trajtimin e diarresë virale të gjedhit (BVD).

Sipas Zyrës Federale për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë (FSVO), klasifikimet e mëparshme të fermave si “jo të karantinuara”, “të karantinuara” dhe “kafshë individuale të karantinuara” do të hiqen.

Në vend të tyre, do të zbatohen vetëm dy kategori: “pa BVD” dhe “jo pa BVD”.

Fermat që kanë statusin “pa BVD” do të mund t’i lëvizin kafshët pa kufizime nga 1 nëntori. Ndërkaq, fermat që nuk e kanë këtë status do t’u nënshtrohen kërkesave të caktuara.

Regjimi i ri shënon përfundimin e periudhës dyvjeçare të tranzicionit drejt statusit “pa BVD” në Zvicër. Qëllimi i FSVO-së është zhdukja e kësaj sëmundjeje të kafshëve në vend.

Sipas të dhënave të kësaj zyre, më shumë se 99 për qind e fermave zvicerane të bagëtive aktualisht janë pa BVD./Telegrafi/

Read Previous

Trump: Nuk do të lejojmë që ajo që po ndodh në Francë të ndodhë edhe në SHBA

Read Next

“Do të jetë luftë”, ​ylli i Barcelonës paralajmëron Real Madridin