Spanja dhe Anglia regjistruan qershorin më të nxehtë ndonjëherë

Spanja dhe Anglia regjistruan qershorin e tyre më të nxehtë ndonjëherë, ndërsa vala e nxehtësisë vazhdon të përhapet nëpër Evropë.

Shërbimi meteorologjik i Spanjës, Aemet, tha se qershori “jashtëzakonisht i nxehtë” – me një temperaturë mesatare prej 23.6 gradësh Celsius – “ka shënuar rekorde”, duke tejkaluar mesataren normale për korrikun dhe gushtin.

Në Angli, Zyra Meteorologjike tha se temperatura mesatare e qershorit prej 16.9 gradësh Celsius vendosi një rekord të ri për atë muaj, ndërsa Mbretëria e Bashkuar – në tërësi – regjistroi qershorin e dytë më të nxehtë që nga fillimi i matjeve në vitin 1884.

Portugalia kontinentale regjistroi, gjithashtu, një temperaturë rekorde ditore në qershor – prej 46.6 gradësh Celsius. Të dhënat mesatare mujore nuk janë publikuar ende.

Vala e të nxehtit mbërthen Evropën
FotogaleriVala e të nxehtit mbërthen Evropën

Në Turqi, zjarret detyruan dhjetëra mijëra njerëz të evakuoheshin, ndërsa në Itali dy persona humbën jetën për arsye që lidheshin me nxehtësinë.

Në Francë, vala e të nxehtit vazhdoi në pjesën më të madhe të vendit edhe të martën – një ditë pasi shumë qytete përjetuan natën dhe ditën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në qershor.

Maja e Kullës Eiffel në Paris u mbyll për shkak të të nxehtit, ndërsa ministrja franceze e Klimës, Agnes Pannier-Runacher, e përshkroi këtë si një situatë “të paparë”.

Për herë të parë në pesë vjet, rajoni i Parisit e aktivizoi alarmin e kuq – që është paralajmërimi më i lartë për nxehtësinë ekstreme – së bashku me 15 rajone të tjera franceze.

Në Itali, rajoni i Toskanës shënoi rritje për 20 për qind të pranimeve në spital, për shkak të problemeve që lidhen me nxehtësinë.

Rajoni i Ballkanit, po ashtu, është përfshirë nga temperaturat e larta./REL

Read Previous

Sot nis Kampionati Evropian i volejbollit në Kosovë

Read Next

Qeveria: Fondet nga Plani i Rritjes po vonohen për shkak të bllokadës së opozitës